FMN: Klima e biznesit, shumë problematike në Shqipëri
Fondi Monetar Ndërkombëtar tha të hënën se klima e biznesit në Shqipëri është ende një shqetësim dhe një problem shumë i madh. Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se edhe sektori energjitik dhe problemet e energjisë janë po kaq të rënda. Gazeta britanike “The Guardian” raportoi se, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare ishte përpara problemesh shumë të mëdha, pavarësisht disa arritjeve të kryera vitet e fundit. Fondi Monetar Ndërkombëtar i mbajti këto qëndrime për ekonominë shqiptare gjatë paraqitjes së pikëpamjeve të tij për gjendjen e ekonomisë së Shqipërisë dhe të vendeve fqinje me të, Maqedonisë dhe Greqisë. Problemi më i madh aktualisht, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar, është stoku i borxhit, i cili është shumë i madh dhe kjo vetëm një vit para zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që edhe rreziqet rajonale janë të pranishme dhe madje me kahje rritëse. Në anën tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se këto vende të rajonit përfshirë edhe Shqipërinë janë duke pasur një nivel të mirë të rritjes ekonomike dhe inflacion brenda normave të kontrolluara dhe të kontrollueshme. Në të vërtetë, gjendja e borxhit ka qenë përherë një shqetësim për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ndërhyrja e tij e detyroi qeverinë shqiptare që në buxhetin e ri të miratuar pak kohë më parë ajo të caktonte një fond jo të vogël për financimin e tij. Aktualisht, qeveria ka parashikuar për këtë vit një nivel të deficitit prej 5,2 %, ndërkohë që më herët e kishte përcaktuar atë në 7,2 për qind. Ndërkohë që borxhi i brendshëm së bashku me stokun i kalon të 50% e Prodhimit Kombëtar Bruto. Fondi Monetar thotë se kjo masë e madhe e deficitit dhe e borxhit është një faktor shtysë për të rritur inflacionin dhe për të rrëzuar edhe më fuqinë blerëse në treg. Në nivelin e borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare asnjëherë nuk është llogaritur detyrimi ndaj ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve, pasi kjo është parë thjesht si një borxh publik dhe vetëm kaq. Klima e biznesit në Shqipëri ka pësuar disa ndryshime formale që kanë të bëjnë me procedurat për marrjen e lejes ose me pakësimin e numrit të dokumenteve që duhen paraqitur, por në thelb tregues të tjerë si zbatimi i kontratave, regjistrimi i pronës, marrëdhëniet me administratën fiskale, barra e taksave etj., janë në gjendje të vështirë. Kjo u vu re edhe në një raport të Bankës Botërore mbi klimën e biznesit mbi qytete në rajon, ku tri qytete shqiptare, megjithëse në to mund të merrej shumë shpejt një leje apo licencë biznesi, kishte vështirësi të mëdha në zbatimin e kontratave, në regjistrimin e pronës, në marrëdhëniet me administratën, në barrën e taksave.