E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dermatiti alergjik dhe infeksionet mykotike, dermatologia: Shmangni pishinat, mbani lëkurën e thatë

Në mjedisin modern ku jetojmë, shëndeti i lëkurës është një prioritet i madh për mirëqenien tonë të përgjithshme. Dy nga problemet më të zakonshme që ndikojnë në shëndetin e lëkurës janë dermatiti alergjik dhe infeksionet mykotike. Edhe pse ato mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm dhe të kenë shenja të ngjashme, trajtimi dhe menaxhimi i tyre kërkojnë njohuri të specializuara. Me hyrjen e pranverës, por edhe me rritjen e temperaturës gjatë verës, këto shqetësime bëhen shumë të ndjeshme te shumë persona. Por cila është natyra e dermatitit alergjik dhe infeksioneve mykotike, cilat janë shkaqet, simptomat dhe mënyrat e diagnozës e trajtimit? Të gjitha këtyre pikëpyetjeve u ka dhënë përgjigje  dermatologia Dorina Hajro në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.

Hajro sqaron se dermatiti i alergjisë së kontaktit reflektohet me irritim të lëkurës, kruarje e skuqje. Ajo tha se shenjat janë të menjëhershme sapo një produkt i caktuar është vënë në kontakt me lëkurën.

“Dermatiti i alergjisë së kontaktit është kontakti me një element apo produkt të caktuar i cili irriton lëkurën. Mund të japë në fillim një acarim të lëkurës, skuqje, kruarje e nëse nuk trajtohet në kohë mbivendosen infeksione të tjera bakteriale aty ku ka plagë. Nëse kruarja bëhet intensive, pacientin e irriton.

Shenjat e para janë të menjëhershme, apo pak orë pasi vë produktin në kontakt me lëkurën. Një nga dermatitet alergjike të kontaktit shumë të shpeshta, shkaktohet nga nikeli dhe zona që irritohet shpesh është zona ku mbahet rripi.

Nëse pacienti vë re se ka irritim, duhet të ndërpresë menjëherë kontaktin me alergenët. Kontakti i vazhdueshëm e mban edhe dermatitin alergjik aktiv për një kohë të gjatë”, deklaron dermatologia.

Kjo e fundit thekson se zgjidhja është evitimi i kontaktit me materiale apo produkte të cilat shkaktojnë irritimin e lëkurës.

“Simptomat nuk janë gjithmonë njësoj, ka lëkurë që janë të sensitive, që vuajnë nga ekzema, psoriasis, pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike, apo bebat”, shton ajo.

Në lidhje me infeksionet mykotike, dermatologia sugjeron mbajtjen e lëkurës sa më të thatë, dhe shmangien e frekuentimit të pishinave, dusheve publike, plazheve, apo edhe të shkëmbimit të sendeve personale.

“Në periudhën e pranverës edhe të verës, janë akoma edhe më të shprehura për shkak se rriten edhe temperaturat, niveli i lagështisë.

Sa më e lagësht të rrijë lëkura, aq më e predispozuar është për infeksione mykotike, shto këtu edhe faktin e frekuentimit të pishinave, dusheve publike, plazheve, shkëmbimi i sendeve personale.

E rëndësishme që lëkura të mbetet e thatë. Nëse bëjnë aktivitete sportive, duhet të bëjnë dush.

Infeksionet mykotike janë më të shpeshta në këmbë, në zonën e gishtave, në kurriz, në pjesën e kraharorit. Kanë një ngjyrë si rozë të lehtë, më pas thahen pak dhe mbeten si njolla të bardha.

Shpesh njolla ngatërrohet me mungesën e vitaminave.

Pacienti ka histori përsëritëse. Shërohet, me kujdesin e duhur. Por shanset për ripërsëritje janë”, nënvizon ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›