E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deshirat e cmendura te Paris SG Kristiano Ronaldo dhe Runi

Për Sër Aleks Fergusonin, ky lojtar nuk do të shkojë askund, veçse në Francë mendojnë se mund ta marrin. Uejn Runi po kalon një tjetër moment të vështirë tek Mançester Junajtid dhe sheikët milionerë të Paris SG shpresojnë që këtë verë ta marrin për në “Park dë Prens”.
Do të duhen jo më shumë se 25 milionë euro për një nga sulmuesit më të famshëm të botës, një çmim që sipas mediave është vendosur nga klubi anglez. Gjithsesi, trajneri i Junajtid ka besim se Runi nuk do të largohet nga “Old Trafordi”.
Kristiano Ronaldo mbetet një dëshirë e parizienëve, megjithëse momenti që po kalon tek Reali është i shkëlqyer. Për portugezin, sheikët janë gati të shpenzojnë aq sa duhet dhe shumëçka mund të varet nga fakti se ku do të shkojë Zhoze Murinjo në fund të sezonit.
Ndërkaq, Zllatan Ibrahimoviç po mendon për Juventusin, të paktën siç shkruan “La Gazeta delo Sport”. Pengesë e madhe është rroga prej 12 milionë eurosh në sezon, por Ibra sikur nuk po ndihet shumë mirë në Paris dhe torinezët e duan një yll në skuadër.
Emrat e fundit që diskutohen janë Kavani dhe Suarez, të dy të kërkuar nga klube anglezë si Çelsi dhe Mançester Siti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›