E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deshishku: Tolaj nuk më dha tenderë

Me propozimin e prokurorit është paraqitur para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit, Bekim Deshishku, i cili njëherësh është edhe palë e dëmtuar në këtë proces nga kompania “Jona Med”.

Gjatë seancës në procesin gjyqësor i njohur si “Rasti Tolaj”, Deshishku ka deklaruar para trupit gjykues se si ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi dhe ish-sekretari i Përhershëm në këtë Ministri, Ilir Tolaj, e kanë dëmtuar kompaninë e tij financiarisht dhe moralisht.

Përfaqësuesi i kompanisë farmaceutike “Jona Med”, si palë e dëmtuar në këtë proces gjyqësor, Bekim Deshishku, ka folur për kontratën e parë që është nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë në vlerë rreth 3.8 milionë euro, për të cilën kontratë ka thënë se “është nënshkruar nga Tolaj dhe kemi menduar se MSh-ja nuk i ka përmbushur obligimet e kontratës dhe për atë edhe e kemi paditur Ministrinë”.

Sipas tij, në kontratën që “Jona Med” e ka pasur me MSh-në, ka munguar ‘liferimi’ (planifikimi vjetor i furnizimit) nga kjo Ministri, e cila, sipas tij, ia ka vështirësuar në masë shumë të madhe kompanisë farmaceutike “Jona Med” përmbushjen e obligimeve të kontratës për furnizim sipas kërkesave të kontratës.
Mbrojtja dëshminë e Deshishkut e ka cilësuar si favorizuese për ta, duke thënë se me to është zbehur aktakuza që rëndon mbi të mbrojturit e tyre, përderisa mbrojtja e Deshishkut pohon të kundërtën, duke thënë se dëshmia e Deshishkut vetëm se e ka forcuar aktakuzën dhe pretendimet e prokurorit.

“Edhe pse MSh-ja kishte kontratë me ‘Jona Med’, pas skadimit të kontratës në vitin 2007, MSh-ja kishte lidhur kontrata emergjente me kompani të tjera, të cilat kanë ardhur te ne dhe kanë blerë material për t’ia shitur MSh-së’, ka deklaruar gjatë seancës Deshishku.

Ai ka thënë se mosrealizimi i kontratës i ka shkaktuar dëm “Jona Med”-it në shumën prej 600 mijë euro barna, të cilat, sipas tij, tashmë janë me afat të skaduar dhe po qëndrojnë në depot e kësaj kompanie.

Seanca është mbajtur në sallën e kinemasë ABC./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›