Dëshmia e ish-shefes së MI5: Sadami nuk kishte lidhje me 9/11
Shërbimet Sekrete Britanike dhe amerikane nuk kishin fakte të besueshme për një lidhje mes Sadam Huseinit dhe sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra sulmit në Irak në vitin 2003. Kjo ka qenë dëshmia bombë e bërë dje nga ish-shefja e Shërbimeve Sekrete Britanike para komisionit britanik të mbledhur për të shqyrtuar legjitimitetin e luftës në Irak.
Eliza Manningham-Buller, drejtoreshë e Shërbimit të Brendshëm Inteligjent Britanik, MI5, gjatë viteve 2002 dhe 2007 tha se para sulmit në Irak nuk ishte zbuluar asnjë lidhje mes Sadamit dhe 11 shtatorit. Ish-shefja e spiunazhit tha edhe se lufta në Irak bëri që aleatët të humbitnin fokusin ndaj kërcënimit të Al-Kaedës në Afganistan dhe çoi në radikalizimin e ekstremistëve myslimanë në Britaninë e Madhe. Ajo tha se ata që ishin nxitësit për ndërmarrjen e luftës në Irak u fokusuan në të dhënat jo të sakta dhe jo përfundimtare mes sulmeve të 11 shtatorit në SHBA dhe Sadamit. “Nuk ka pasur asnjë burim të besueshëm që të sugjeronte këtë lidhje. Gjykimi i CIA-s në lidhje me këtë çështje nuk ndahej nga disa anë të tjera të institucioneve amerikane”, ka deklaruar ajo. Po sipas saj, këto mosmarrëveshje bënë që ish-shefi i atëhershëm i Pentagonit, Ramsfeld, të mos i merrte në konsideratë palët kundërshtare dhe të konsideronte vetëm të dhënat dhe informacionet e marra nga departamenti që ai drejtonte. “Kjo është arsyeja se përse Ramsfeld çeli një njësi alternative të Shërbimeve Sekrete në Pentagon, pra për të kërkuar gjykime që të ishin alternative me ato të disa pjesëve të tjera të Shërbimeve Inteligjente”, ka deklaruar ish-shefja e MI5. “Për mua personalisht Sadami nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet e 11 shtatorit dhe unë deri më sot nuk jam përballur me asnjë fakt që të më bëjë të ndryshoj mendim”. Manningham-Buller, që është aktualisht anëtare e Dhomës së Lordëve, tha se fokusi i Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara në Irak i kishte tejkaluar përmasat e ndërmarrjes së luftës kundër terrorizmit dhe se kishte shkaktuar probleme të tjera. “Fokusimi i madh tek Iraku reduktoi në radhë të parë vëmendjen që i duhej dhënë Afganistanit dhe Al-Kaedës. Unë mendoj që pikërisht ky fokusim ishte një problem i madh dhe afatgjatë strategjik”, ka deklaruar ish-shefja para komisionit të posaçëm. Ajo vazhdoi edhe më tej të thotë se lufta në Irak rriti ndjeshëm edhe kërcënimin terrorist në Britaninë e Madhe me shtimin e valës së radikalëve islamikë menjëherë pas fillimit të luftës në Irak në vitin 2003. “Përfshirja jonë në Irak radikalizoi, për të përdorur këtu një fjalë të përshtatshme, një gjeneratë të tërë të rinjsh që e konsideruan përfshirjen tonë në Irak si një sulm ndaj islamit”.
Ajo tha se nuk kishte kryer asnjë diskutim kokë më kokë me ish-kryeministrin e atëhershëm, Toni Bler, në lidhje me pasojat që do të kishte lufta te shtimi i terrorizmit në Britani. Një numër i madh mesazhesh të terroristëve që morën jetë njerëzish i argumentonin veprimet e tyre me përfshirjen e “padrejtë” të Britanisë së Madhe në luftën e Irakut.
Ish-shefja e spiunazhit, që dha dëshmi në një seancë të hapur dëgjimore para panelit të posaçëm, tha se i ishte kërkuar nga qeveria britanike pas sulmit në Irak që t’i mbushte mendjen numrit dy të Pentagonit që të mos urdhëronte shpërbërjen e ushtrisë irakiane, porse ajo i ishte përgjigjur se nuk kishte mundësi që ta bënte një gjë të tillë.
#