Diplomacia, përplasje pas deklarimit të GJND-së
Diplomacia ndërkombëtare e ka zhvendosur, gjatë këtyre dy ditëve, vëmendjen e saj në seancën e pritshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pritet shpallja e arsyetimit pas ankesës që Serbia ka paraqitur si refuzim të shtetësisë së Kosovës. Gjatë këtyre dy ditëve, deklarata të shumta janë përcjellë në mediumet e përbotshme, por sidomos ato të rajonit. Ndërkohë, delegacionet përfaqësuese të Serbisë dhe Kosovës kanë udhëtuar për të qenë prezent në seancën e shumëpritur. Sidoqoftë vendimi i GJND-së, palët politike të dy shteteve janë përgatitur për deklarata dhe qëndrime të ndryshme.
Kuvendi i Kosovës do të nxjerrë një deklaratë pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo deklaratë do të harmonizohet mes grupeve parlamentare dhe do të jetë në mbështetje të opinionit të GJND-së. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke njoftuar se një seancë plenare do të mbahet më 22 korrik, ditën kur do të shpallet mendimi nga GJND-ja, ndërsa deklarata për mendimin e GJND-së do të miratohet në seancën e së hënës. “Deklarata do të harmonizohet me grupet parlamentare që janë në Kuvendin e Kosovës. Por ajo që megjithatë do të debatohet dhe do të diskutohet, do të jetë mbështetja e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kërkesa për vazhdimin e njohjeve të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe që Parlamenti i Kosovës dhe institucionet tjera të marrin përgjegjësitë e veta që i kanë konform Kushtetutës në fuqi dhe dokumentit të presidentit Ahtisaari dhe dokumenteve të tjera të komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Krasniqi. Por Ibrahim Makolli, njëri prej përfaqësuesve të opozitës, konsideron se nuk duhet paragjykuar opinioni i GJND-së dhe se pavarësisht këtij mendimi që do të dalë nga ky institucion i drejtësisë ndërkombëtare, Kuvendi duhet të dalë me deklaratë mbështetëse për atë që është arritur deri tani në Kosovë. Sidoqoftë, Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur bindjen e thellë se opinioni i GJND-së do të jetë në favor të Kosovës. “Ne jemi të bindur se, nëse i keni përcjellë deklarimet e Bashkimit Europian dhe në Këshillin e Sigurimit nga sekretari i Përgjithshëm, të gjitha shenjat janë që njohja e shtetit të pavarur dhe demokratik do të bëhet edhe nga opinioni i shprehur i Gjykatës Ndërkombëtare”, ka thënë ai… Sejdiu, i bindur se s’do të ketë vendim kundër pavarësisë Dy ditë para shpalljes së vendimit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shprehet i bindur se nuk do të ketë vendim kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Nuk do të ketë vendim kundër pavarësisë së Kosovës dhe këtë e them me bindje”, deklaroi Presidenti, gjatë një vizite që i bëri Gjykatës së Qarkut në Pejë. “Para argumenteve, edhe zotat heshtin”, parafrazoi Sejdiu proverbin e njohur latin. Nga ana tjetër, një mendim i shprehur në mbështetje të argumenteve të Kosovës nga kjo gjykatë ndërkombëtare, do të jetë i mirëseardhur për Prishtinën, theksoi shefi i shtetit. Presidenti pohoi se Kosova është një shtet me histori të suksesshme, pasi janë 69 vende që e kanë njohur pavarësinë e saj dhe do të ketë edhe vende të tjera që do ta njohin. E rëndësishme, sipas tij, është që procesi i pavarësisë është i pakthyeshëm. “Kosova natyrisht se do të ketë bashkëpunim me vendet e rajonit dhe me shtetet fqinje, por asnjëherë, nëse e kemi fjalën me raportet që kemi me Serbinë, nuk do të bisedojë për statusin e saj, nuk do të bisedojë për integritetin e saj territorial, për ndërhyrje të brendshme, për çka dikush mund të ketë ambicie, por do të bisedojë për tema që janë në interesa të shteteve sovrane dhe interesave të dy popujve”. Sipas Presidentit Sejdiu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me argumentet që ka para vetes, do të japë mendim në favor të kësaj storie të rëndësishme, që ka qenë projekt i përbashkët me faktorin ndërkombëtar, pra procesi i pavarësisë.
#