Restaurohet koleksioni i Kol Idromenos
Sektori i konservimit dhe restaurimit do të ndërhyjë në 26 veprat e fondit që ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve. Specialistët kanë studiuar nivelet e ndryshme të dëmtimeve, ndërkohë që mungesa e kushteve e bën të vështirë restaurimin e disa pikturave. Piktura të panjohura më parë, si edhe skica e vizatime do t’i prezantohen më 2011-n publikut në një ekspozitë të posaçme për Kol Idromenon
Kol Idromeno është nxjerrë nga fondi i Galerisë së Arteve. Njëzet e gjashtë veprat që gjenden në fondin e institucionit po kalojnë me radhë në laboratorin e konservimit dhe restaurimit. Prej muajit shkurt ka nisur procesi i restaurimit të veprave të piktorit të njohur. Në tavolinën modeste të punës dje ndodheshin gjashtë vepra që po merren në shqyrtim. Specialistët po bëjnë së pari evidentimin e dëmtimeve. Janë të dukshme piketimet me të bardhë që shefja e sektorit, Majlinda Agolli, dhe restauruesi Olsi Lasko kanë bërë mbi pikturën “Shën Maria me Krishtin e Shën Anën”. Në një cep qëndron piktura “Portret Djali” (1927). Në tablo janë të dallueshme qartë vragat e bëra nga koha dhe prova që specialistët kanë bërë në një cep për të provuar nëse është e domosdoshme apo jo heqja e vernikut të mëparshëm. Restauruesi Olsi Lasko shprehet se të paktën këto 20 vitet e fundit kjo pikturë nuk është ekspozuara asnjëherë, por ka mundësi që edhe më parë të mos i jetë bërë e njohur publikut. Lasko tregon se mbi këtë vepër për momentin është bërë vetëm një pastrim që i ka kthyer portretit ngjyrën origjinale. Ende nuk është ndërmarrë restaurimi. Në pjesën e fundit të veprës janë të dukshme dëmtimet e bëra në kanavacë. Specialisti shprehet se gjatë kësaj kohe që u ka shërbyer për studimin e 26 veprave që Galeria Kombëtare e Arteve ruan në fondin e saj nga Idromeno, kanë vënë re dëmtime të ndryshme. Një pjesë e veprave ka nevojë për një pastrim të thjeshtë, ashtu siç ka ndodhur me “Fshatarin”, ndërsa të tjera paraqesin nivele më të rënda dëmtimi siç është shkëputja e shtresave, dëmtimi i kanavacës, shkëputja e bojës nga kjo e fundit. Në tavolinën e punës gjenden aktualisht edhe “Plaku me çibuk” (1927), “Autoportret” (1938), “Portret i mbesës” (1932). Pas restaurimit të specializuar që iu bë “Motrës Tone” në Francë, specialistët kanë vendosur që sivjet të punojnë edhe me veprat e tjera të fondit të Idromenos. Lasko shprehet se ky proces po kryhet falë ndihmës që ka dhënë Fondacioni për Artet Pamore Shqiptare Pa Kufij (FAVA). Me fondin dhënë prej tyre janë blerë materialet e nevojshme për të trajtuar veprat. “Në të kundërt, Galeria e Arteve nuk kishte mundësinë të siguronte materialet e nevojshme për të bërë studimin e sidomos restaurimin e këtyre veprave”, shprehet Lasko. Nëse i referohemi mundësisë që ka ky laborator për të trajtuar dëmtime të rënda të veprave të artit, specialisti i restaurimit shprehet se ka shumë mungesa. Një rast konkret përbën trajtimi i veprës “Kur hyn dreqi në shtëpi”. “është një vepër shumë e bukur në përmasa të mëdha dhe e paekspozuar më parë. Kjo pikturë paraqet dëmtime në strukturën e kanavacës, por për ne është shumë e vështirë të ndërhyjmë. Në këtë rast duhet të bëjmë një dublurë (bashkëngjitje e kanavacës së re me atë të vjetrën), por na mungon një tavolinë vakumi. Nëse do të mundohemi të veprojmë në kushtet që jemi, ka shumë mundësi që kjo ndërhyrje t’i shkaktojë probleme të mëvonshme sesa ta ndihmojë në konsolidimin e saj”, shprehet Lasko. Ende nuk dihet nëse do të jetë i mundur restaurimi i kësaj vepre, që mbi të gjitha do të donte edhe një kohë më të gjatë trajtimi. Në këtë rast, specialistët janë duke studiuar edhe restaurimet që u janë bërë më parë këtyre veprave, për të vendosur se çdo të bëhet më pas. Specialisti tregon shenjat e dukshme të ndërhyrjeve në kohë te tablotë, mbi të cilat po punojnë aktualisht. “Ende nuk është përcaktuar nëse do të ngrihet një komision që do të vendosë nëse duhet hequr apo jo verniku i vendosur më parë në këto piktura. Ka raste kur ai ka arritur ta ruajë mirë veprën dhe ne nuk kemi garanci nëse verniku i ri që mund të aplikojmë do të ketë të njëjtin veprim. Me shumë mundësi do të ketë një komision vlerësimi para se të kryejmë restaurimin”, tregon Lasko. Përveç pikturave të paekspozuara më parë, që gjenden në fondin e GKA-së, një pjesë të panjohur të piktorit përbëjnë edhe skicat e vizatimet. Ato ruhen në një dosje dhe ende nuk janë marrë në shqyrtim. Lasko shprehet se puna me to do të jetë më e vështirë në mungesë të specialistëve për t’u marrë me letrën. Sipas tij, pasi të shqyrtohen, me shumë mundësi do të bëhen ndërhyrje vetëm në raste kritike dhe pjesa tjetër do të ekspozohet në gjendjen që janë. Pas ndërhyrjes konsoliduese dhe restauruese, të gjitha veprat e Kol Idromenos që ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve do t’i prezantohen publikut në një ekspozitë të veçantë. Për momentin, nga veprat që janë aktualisht në linjën e GKA-së, vetëm “Motra Tone” nuk kërkon ndërhyrje. Specialistët bëjnë të ditur se ende janë duke diskutuar për “Dasmën shkodrane”, pasi në këtë pikturë janë të dukshme dëmtimet. Për t’iu bashkuar kësaj ekspozite, do të merren tri a më shumë vepra edhe nga Galeria e Shkodrës. Ato do të kalojnë të njëjtin proces si veprat e tjera. Sipas Laskos, mes këtyre veprave është sërish një tablo e madhe që kërkon kushte të posaçme për t’u restauruar. Bashkë me ekspozitën do të ketë edhe një botim për piktorin shkodran, një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore. Por puna për restaurimin do të kërkojë edhe disa muaj të tjerë, prandaj specialistët, pa dhënë dot një datë të saktë, shprehen se ekspozita do të realizohet vitin tjetër.
#