E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët: Pamë si u vranë policët, u terrorizuam

Ngjarja e djeshme në plazhin e Durrësit ka terrorizuar të gjithë pushuesit që ndodheshin në zonë, për shkak se shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar për disa minuta në pjesën e pasme të një ndërtese.


Një burrë rreth të 50-ave, pushues nga Kosova, tregon se ishte pothuajse ngjitur me vendin, në vijën e parë të shezlonëve që ndodhen pranë ndërtesës, kur dëgjoi krisma armësh. "Dëgjova disa të shtëna të njëpasnjëshme, - tregon burri me thinja me flokë kaçurrel, i veshur me një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra.


Ai vijon duke thënë se në atë moment ishin afruar edhe disa vajza dhe u kishin thënë se kishin parë se si ishin qëlluar me armë disa policë. - Erdhën na thanë se çfarë kishin parë dhe ikën të terrorizuara. Mblodhën gjithçka që kishin dhe ikën. Nuk ndenjën as dy minuta pasi mbërritën aty për shkak të asaj që kishin parë, - thotë pushuesi.


Më tej burri tregon se më pas edhe ai vetë kishte vendosur që të largohej dhe kishte parë një person që qëllonte me shkelma një tjetër në kokë që ishte i shtrirë dhe i plagosur. - Doja të ikja edhe unë me vrap, sepse nuk dija ç'mund të ndodhte. Qëndrova fare pak dhe ika, sepse u terrorizova nga ngjarja",- përfundon ai.


Një tjetër pushues kosovar nga Prizreni tregon se kishte parë se si një automjet i kishte kaluar sipër një prej personave duke e dëmtuar rëndë, por nuk e kishte kuptuar se çfarë ishte në të vërtetë njeriu që ishte i plagosur.


Sipas dëshmitarëve, pas ngjarjes ata kanë parë dy persona me automatikë në dorë që dyshohet se ishin efektivë policie, të cilët kanë shkuar në drejtim të bregut të detit dhe më pas janë kthyer mbrapsht tek ndërtesa.


Të gjithë personat të pranishëm në vendin e ngjarjes janë shprehur se janë terrorizuar për shkak të asaj që kishin parë e dëgjuar. Krisma dhe gjak ka qenë mesdita e tyre e së enjtes, ndërsa gjithçka janë munduar që ta harrojnë duke u larguar nga vendi ku ndodhën 5 vrasjet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›