Gjermania: Procesi i numërimit, më i keq se në 2007-ën
Ambasadori gjerman flet për presione ndaj administratës, largime nga puna për motive politike dhe probleme me procesin e numërimit
TIRANË - Përpos deklaratave publike, që vijojnë të jepen nga mazhoranca për zgjedhje sipas standardeve, ata që vëzhguan zgjedhjet, ndërkombëtarët, nxjerrin në pah mjaft probleme.
Duke vlerësuar progresin në regjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat, ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Bochard, ndihet i keqardhur për disa zhvillime negative të procesit.
"Ka pasur shumë deklarime për presionin e ushtruar ndaj nëpunësve të sektorit publik apo studentëve, gjatë fushatës elektorale. Vëzhguesit mund të provojnë disa prej tyre. Ka pasur deklarime edhe për abuzimin me burime të administratës, disa prej të cilave janë konfirmuar.
Shpresoj se kjo do të riparohet në të ardhmen, pasi është në kundërshtim me Dokumentin e Kopenhagenit (të OSBE/së) mbi zgjedhjet", - thotë ambasadori gjerman në një intervistë për "DW".
Ai thekson gjithashtu se, gjatë procesit të numërimit, vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. "Kjo ishte më keq se në 2007-ën, kur më pak se ¼ e qendrave të numërimit u kritikuan për këtë gjë.
Një çështje tjetër problematike janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste. Për sa i përket një deklarate të përgjithshme mbi zgjedhjet, jemi në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR-it, i cili do ta mbështesë vlerësimin e tij në një bazë të gjerë të vëzhgimeve të qindra vëzhguesve zgjedhorë",- tha ai.
Ambasadori gjerman përcjell një mesazh edhe për opozitën. "Shumë nga reformat që Shqipëria ka përpara në rrugën e saj drejt integrimit në BE, kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament. Prandaj shpresojmë që opozita do të zgjedhë të mbajë një qëndrim konstruktiv lidhur me reformat për legjislacionin.
Opozita ka detyrën të përfaqësojë interesin e elektoratit të saj në këtë diskutim në Parlament. Nuk besoj se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit ka interes për ngadalësimin e procesit të reformave në Shqipëri. Jam i bindur se qeveria dhe opozita mund të gjejnë zgjidhje kompromisi për shumë nga paketat e reformave e duhura",- tha ai.