Statistikat, sipërfaqet e mbjella në rënie
Sipërfaqet e mbjella kanë rënë me rreth 30 mijë ha, por kjo nuk ka ndikuar në prodhim falë rendimentit
Toka bujqësore zë 24 për qind të totalit të tokës gjithsej në vendin tonë. Në vjetarin statistikor të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2007, në të gjithë vendin regjistrohen rreth 2.9 milionë hektarë tokë. Nga këto rreth 700 mijë hektarë janë tokë bujqësore, e cila nga viti 2000 deri në vitin 2007 është pakësuar me afro dy mijë hektarë.
Pyjet, livadhet dhe kullotat zënë pjesën më të madhe të sipërfaqes së vendit tonë me 51 për qind, ose rreth 1.5 milionë hektarë. Ndërsa tokat e tjera arrijnë në 713 mijë hektarë, ose 25 për qind e totalit të tokave në Shqipëri.
Struktura
Sipërfaqet e mbjella me bimë are kanë pësuar rënie nga viti 2000 deri në vitin 2007, por kjo nuk është reflektuar në prodhimin bujqësor, falë rritjes së rendimentit.
Kështu në vjetarin e 2007-ës të Ministrisë së Bujqësisë sipërfaqet e mbjella janë tkurrur nga viti në vit.
Në vitin 2000, në të gjithë vendin numëroheshin rreth 420 mijë hektarë të mbjella me bimë are si drithëra, patate, fasule, duhan etj. Ndërkohë në vitin 2007, kjo sipërfaqe ra në rreth 387 mijë hektarë.
Për vitin 2007, në strukturën e mbjelljes së bimëve, foragjeret zënë vendin e parë, duke zënë 52 për qind të sipërfaqeve të mbjella, ose rreth 200 mijë hektarë. Në vendin e dytë renditen drithrat me 34%, me rreth 132 mijë hektarë, ku sipërfaqet e mbjella me grurë arrijnë në 70 mijë hektarë. Sipërfaqet e mbjella me drithëra kanë pësuar rënie nga viti 2000 deri në vitin 2007, me rreth 46 mijë hektarë.
Ato me grurë kanë rënë me më shumë se 50 mijë hektarë brenda shtatë viteve, ndërsa ato me misër ne rreth 7 mijë hektarë. Rënie të lehtë kanë pësuar edhe sipërfaqet e mbjella me perime e patate.
Ndërkohë që sipërfaqet e mbjella me fasule kanë rënë me 8 mijë hektarë dhe ato me duhan me afro 4 mijë gjatë viteve 2000-2007. Rritje të lehtë kanë pësuar sipërfaqet me luledielli, ndërsa ato me foragjere kanë arritur në 2007-ën në 200 mijë ha, ose 35 mijë më shumë se në vitin 2000.
Prodhimi
Megjithëse sipërfaqet e mbjella me bimë arash kanë rënë, kjo nuk është reflektuar në të njëjtën masë me rënien e prodhimit. Sipas specialistëve të bujqësisë, kjo ka ardhur si shkak i rritjes së rendimentit në prodhim.
Por gjithsesi prodhimi i drithit ka rënë me rreth 72 mijë ton nga viti 2000 deri në vitin 2007, ku u prodhuan rreth 494 mijë ton drithë. Në këtë grup, prodhimi i grurit arriti në rreth 250 mijë ton, ose rreth 90 mijë më pak se në vitin 2000, ndërsa misri shënoi rritje me vitin 2000, por rënie me vitet 2005, 2006. për vitin 2007 u prodhuan rreth 216 mijë ton misër.
Prodhimi i patates dhe fasules ka shënuar gjithashtu një rënie, por me përmasa më të vogla se ai i grurit. Gjatë vitit 2007 në të gjithë vendin u prodhuan rreth 155 mijë ton patate, ose 5 mijë më pak se në 2000-ën.
Rënie drastike ka përjetuar prodhimi i duhanit, ku në vitin 2000 u prodhuan mbi 6 mijë ton, ndërsa në vitin 2007, vetëm 900 ton. Ndërkohë që perimet në përgjithësi kanë përjetuar një rritje të fortë gjatë viteve 2000-2007. Në vitin 2007 u prodhuan rreth 672 mijë ton, nga 620 mijë ton në vitin 2000.
Rendimenti bujqësor
Rritja e rendimentit në bujqësi ka ndikuar në rritjen e prodhimit, pavarësisht tkurrjes së sipërfaqeve të mbjella. Në vitin 2007, rendimenti për drithin arriti në afro 36 kv/ha, nga 32 që ishte në vitin 2000.
Në grupin e drithrave, misri pati rendimentin më të lartë me 43 kv/ha, ose 10 kuntal më shumë se në vitin 2000.
Rritjen më të lartë dhe të qëndrueshme ndër vite e ka patur patatja me 187 kuintalë për hektarë, ose 47 kuintalë më shumë se 7 vite më parë. Ndërsa perimet patën në vitin 2007 një rendiment prej afro 225 kv/ha, ose 36 kuntalë më shumë se në vitin 2000, duke përjetuar një rritje të qëndrueshme të rendimentit nga viti në vit.