Dëshmitari “C” mohon të ketë pasur qeli në Kleçkë

(E plotësuar) Ka nisur dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur “C” në rastin “Kleçka” ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve. Në pjesën e parë të seancës ai është marrë në pyetje nga Prokurori Mauritzo Salustro. Por, pothuajse gjatë tërë kohës fjalia e tij kryesore ka qenë “nuk më kujtohet” kur prokurori e ka ballafaquar me deklaratën e tij gjatë hetimeve, raportoi KTV nga ky proces . Ai ka pranuar se ka qenë në Kleçkë, por jo i burgosur.
“Nuk jam kon në burg more, veç kena lujt me top”, ka thënë dëshmitari “C” me videolink. Prokurori i ka kujtuar atij se në fazën e hetimeve ka thënë se ka qëndruar në një qeli me 4 persona të tjerë. “Nuk ka pas qeli. Ku kemi pasë kohë me maru qeli. Mos folni pallavra”, është përgjigjur dëshmitari.
Megjithëse gjatë hetimeve kishte thënë se ka qenë anëtar i LDK-së, dëshmitari ‘C’ ka demantuar veten, duke thënë se është me rëndësi që është qytetar i Kosovës e s'ka rëndësi a është me LDK-në apo PDK-në. Por, gjatë dëshmisë ka potencuar se është nga Drenica.
-----------
Pas dëshmisë së ish shefit të Shërbimit juridik të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Sokol Dobruna , sot në orën 10:00 do të dëshmojë njëri nga dëshmitarët e mbrojtur të prokurorisë.
Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka thënë për "Epokën e re" se pala mbrojtëse nuk ka kurrëfarë problemi të ballaqohet me cilindo dëshmitar të prokurorisë.
Gashi ka deklaruar se Limaj ka vendosur të mbrohet me të vërteten deri në fund të këtij procesi gjyqësor./Indeksonline/