E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarja e Gërdecit, përzë hetuesit

Dëshmitarja e shpërthimit të ndodhur dy muaj më parë në Gërdec, refuzon të japë sqarime për hetuesit e Prokurorisë dhe një agjent amerikan.

Trazhgim Sokolaj

Një 29-vjeçare e cila mbeti e plagosur ditën kur ndodhi tragjedia në fabrikën e çmontimit të municioneve, nuk ka pranuar të tregojë fakte rreth shpërthimit edhe pse dy hetues kanë shkuar për ta marrë në pyetje në spitalin ku ajo po kurohej në Tiranë. Sipas burimeve nga institucioni i akuzës, një oficer gjyqësor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i shoqëruar nga një agjent amerikan, kanë shkuar së bashku në spital për të marrë në pyetje të plagosurën. Më parë Prokuroria kishte siguruar të dhëna e dëshmi, se 29-vjeçarja ka qenë dëshmitare në momentin kur disa persona që punonin në fabrikën e çmontimit të predhave kanë marrë një pajisje saldimi nga disa banorë të zonës aty pranë. Sipas burimeve të Prokurorisë, dëshmitarja ka qenë e pranishme kur personat kanë dalë nga fabrika dhe kanë kërkuar përkohësisht një pajisje saldimi e cila ndodhej në një banesë që po ndërtohej fare pranë punishtes së demontimit të predhave. Dëshmitarja e cila refuzoi hetuesin e Krimeve të Rënda dhe agjentin amerikan, mësohet se është e afërme e familjes ku punëtorët e fabrikës kërkuan pajisjen e saldimit. Ajo do të përdorej për saldimin e njërës nga katër karrocat që përdoreshin për nxjerrjen e barutit jashtë fabrikës pas demontimit të predhave. Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria ka vlerësuar të nevojshme marrjen e sqarimeve nga dëshmitarja. Madje hetuesit duke ditur gjendjen e rëndë shëndetësore të 29-vjeçares kanë vendosur ta shtynin pyetjen e saj për disa ditë. Pasi kanë mësuar përmirësimin e gjendjes shëndetësore, hetuesit e tragjedisë së Gërdecit kanë shkuar në spital dhe kanë tentuar të pyesin 29-vjeçaren nga Gërdeci, e cila nuk ka preferuar të japë asnjë sqarim për atë që kishte ndodhur më 15 mars 2008, fare pak minuta para shpërthimit apokaliptik. Me një komunikim të acaruar, dëshmitarja u ka kërkuar hetuesve të dilnin nga dhoma ku ajo po mjekohej dhe ta linin të qetë pasi nuk kishte asgjë për të thënë. Oficerit shqiptar dhe agjentit amerikan nuk u ka mbetur të bënin gjë tjetër veçse të largoheshin duarbosh nga spitali ku po kurohej dëshmitarja. Pyetja e saj konsiderohet e rëndësishme nga Prokuroria e cila është përqendruar në versionin se shpërthimi në fabrikën e Mihal Delijorgjit, është shkaktuar nga saldimi i karrocës që përdorej për transportin e barutit. Sipas hetimeve, karroca metalike e cila është gjetur dhe verifikuar edhe pas shpërthimit, ishte mbingarkuar me barut dhe si rrjedhim është thyer. Me qëllim që të vazhdonin punën sa më shpejt, disa persona kanë kërkuar një pajisje saldimi tek një shtëpi në ndërtim fare pranë fabrikës dhe kanë filluar të saldojnë karrocën duke shkaktuar shkëndija në një ambient ku baruti ishte hedhur ngado. Si pasojë e shkëndijave baruti ka marrë flakë duke aktivizuar predhat. Ato kanë goditur më pas konjenjerët që ndodheshin në oborrin e fabrikës, në krahun e djathtë të hyrjes së saj duke shkaktuar shpërthimet me përmasa tragjike. Ngjarja e Gërdecit shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›