E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzim Gjoni, sot te Krimet e Rënda për zbutjen e akuzës

TIRANE - Gëzim Gjoni, i pandehuri i “Hakmarrjes shqiptare për Drejtësi” do të paraqitet mëngjesin e sotëm te Krimet e Rënda ku do i komunikohen akuzat e ndryshuara në procesin që deri tani ka zgjatur 12 vjet.

Pak ditë më parë organi i akuzës i Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 8 vjet burg për Gjonin, duke e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale si dhe duke i hequr akuzat për kryerje krimesh. Deri një javë më parë Gjoni ishte akuzuar për tre vepra penale të kryera në kuadër të “Hakmarrjes”, si rrëmbim personi, grabitje dhe tentativë vjedhje me dhunë, por që sipas Prokurorisë nuk u provuan gjatë procesit duke u vendosur të ndryshoheshin në momentin e pretencës. Tashmë Gëzim Gjonit i duhet të njihet me këtë ndryshim akuzash dhe më pas t’i jepet fjala mbrojtjes për të paraqitur konkluzionet e saj. Gjoni u arrestua në vitin 2003 dhe qëndroi rreth tre vjet në paraburgim, derisa Krimet e Rënda vendosën të revokonin masën e sigurisë rreth një vit më parë. Pak ditë më parë gjatë pretencës, Prokuroria duke i akuzuar të pandehurit për 17 krime të rënda të kryer gjatë viteve 1993–1996, i kërkoi gjykatës dënimin për tre prej tyre me burgim të përjetshëm, ndërsa për shtatë të pandehurit e tjerë u kërkuan në total 143 vite. Aktualisht, pesë prej të pandehurve të këtij procesi, kanë fituar azil politik në Zvicër, Belgjikë dhe Holandë, duke pretenduar se ndaj tyre në Tiranë zhvillohen procese që kanë bazë politike. Gjatë 12 vjetëve në duart e drejtësisë dosja “Hakmarrja” ka kaluar nëpër disa gjykata, por ende nuk ka një vendim të formës së prerë ndaj të akuzuarve. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›