Huq
Edmond Tupja
Nuk ka njeri pa huqe, thotë një fjalë e urtë e kohëve të vjetra; nuk ka politikan pa huqe, thotë një fjalë e urtë e kohëve të fundit, ...çka më duket krejt e natyrshme, meqenëse edhe politikanët njerëz janë në fund të fundit. Sigurisht që nuk kam ndër mend të kaloj në revistë huqet e politikanëve tanë të sotëm, sepse do t’i hapja punë vetes: së pari, do të më duhej të dokumentohesha për shprehitë e tyre të këqija; së dyti të bëja gjurmime për veset e tyre; së treti, të studioja e të katalogoja zakonet e tyre jo detyrimisht negative, çka do të kërkonte, nga ana ime, një shpenzim shtojcë kohe e energjish, të cilat mund t’ua kushtoj disa punëve më të fisme që më presin prej vitesh. Por lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm do të më lejojë të merrem pakëz më gjatë me fjalën e urtë “Edhe kali i kuq e ka një huq”. Këtë fjalë të urtë e gjeta te Fjalori i gjuhës shqipe, botim i vitit 2006, me dy kuptime: 1) Çdo njeri, sado i mirë e i zoti që të jetë, e ka një të metë; 2) Kur dikush punon shumë mirë, edhe ndonjë e metë që ka, nuk i vihet re. Tani, le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm që të guxoj të fantazoj pikërisht me fjalën e urtë “Edhe kali i kuq e ka një huq”. Po e filloj me disa variacione ngjyrash: Pse të mos themi, për shembull, “Edhe kali rozuq e ka një huq”? Sigurisht, shumëkush mund të thotë se Tupja nuk guxon të shkruajë “Edhe kali rozë e ka një huq” ngaqë ndokujt mendja mund t’i shkojë te Selia rozë, pra te Partia Socialiste; por nuk është kështu, sepse unë dua të ruaj rimën, të cilën mund ta ruaj vetëm duke shkruar, për shembull “Edhe kali rozë u bë bozë”; veçse, në këtë formë, humbet ideja e huqit, ndërsa unë nuk dua që ajo të humbasë se dal jashtë teme. Nga ana tjetër, pse të mos themi “Edhe kali bluq e ka një huq”? Sigurisht, shumëkush mund të thotë se Tupja nuk guxon të shkruajë “Edhe kali blu e ka një huq” ngaqë ndokujt mendja mund t’i shkojë te Selia blu, pra te Partia Demokratike; por nuk është kështu, sepse, po e përsëris, unë dua të ruaj rimën pa e humbur idenë e huqit. Për hir të rimës, jam gati të shkruaj “Edhe kali rozbluq e ka një huq”, edhe sikur shumëkush të mendojë se Tupja po e hedh fjalën, me qitje të largët, te ndonjë parti që përpiqet të rrijë ulur në dy karrige; madje jam gati të shkruaj “Edhe kali ekologjuq / monarkuq / minorkuq / integruq e ka një huq”, pavarësisht se ç’do të mendojnë liderët, militantët dhe simpatizantët e kësaj apo asaj partie. Sidoqoftë, fajin nuk mund ta ketë veçse rima.
Tani le të më lejojë lexuesi i paanshëm të vazhdoj me disa variacione për kryefjalën “kalë”: Shumëkush mund të pyesë se kush mund të jetë kali në kuptimin e figurshëm të politikës së sotme shqiptare. Edhe sikur unë ta modifikoj fjalën e urtë duke shkruar, për shembull: “Edhe gomari rozuq (ose bluq) e ka një huq”, e njëjta pyetje mund të shtrohet me të drejtë për gomarin. Po kështu edhe për luanin, tigrin, elefantin, peshkaqenin et të tjera kafshë xhungle, pylli apo deti. Më problematik do të ishte ky ndryshim: “Edhe ish-kali i kuq e ka një huq”, sepse të gjithë do të vrisnin e masakronin mendjen për të zbuluar se cili na qenka ky ish- dhe do ta lidhnin ekzistencën e tij me regjimin komunist; palé po të shkruaja “Edhe ish-kali rozuq (ose ish-kali bluq) e ka një huq”, çka do t’i shtynte njerëzit të kërkonin pika referimi te periudha e sotme e tranzicionit shqiptar. Prandaj, për t’i shmangur tërë këto hamendësime dhe për të mos e zgjatur listën virtuale të atyre që s’para më kanë qejf (por që, pikërisht për këtë arsye, më lexojnë, ndonëse larg syve kureshtarë), po e riformuloj fjalën tonë të urtë në këtë mënyrë: “Edhe kali palluq, e ka një huq”. Po ç’do të thotë “palluq”? Për fat të keq, Fjalori i gjuhës shqipe, botim i vitit 2006, nuk e përmban këtë fjalë. Në të folmen e përditshme, me sa di e jam i informuar, ajo ka kuptimin “i qullët, i mefshtë, i plogët”. Po në hingëllimishte, pra, në gjuhën e kuajve dhe sidomos të pelave të azdisura, mos vallë kjo fjalë ka kuptimin erotik “pallë”? Ja, tani shumëkush do të mendojë që Tupja po e tepron duke hedhur pa pikë turpi themelet e pacipa të një shkencë të re lakuriqe midis zoopolitikës dhe seksopolitikës! Por, besomë, lexues e vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime, atyre që mendojnë kështu do t’u shkojë mundi huq.