E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarja "Y" kërkon që të hetohet Salustro

Dëshmitarja e prokurorisë e koduar me shifrën “Y” ka përfunduar sot dëshminë për rastin “Kleçka”. Ajo edhe në ditën e dytë të dëshmisë ka akuzuar prokurorin, Maurizio Salustro për presion dhe ka kërkuar që ai të hetohet për vdekjen e Agim Zogajt i njohur si dëshmitari “X”.

Seanca e radhës në rastin “Kleçka” do të mbahet më 20 maj, duke filluar nga ora 10:00 në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, konkretisht në sallën e improvizuar në Kinemanë ABC1. Në këtë seancë do të dëshmojë edhe një dëshmitar i mbrojtur i prokurorisë, transmeton Epoka e re.

Avokati i Fatmir Limajt pas përfundimit të seancës se sotme gjyqësore, ka thënë se në ditën e dytë të dëshmisë se saj dëshmitarja “Y” ka akuzuar misionin e EULEX-it dhe prokurorin Salustro për presion edhe ndaj dëshmitarit “X” gjatë kohës kur ka qenë dëshmitarë i mbrojtur.

“Dëshmitarja ‘Y’ edhe sot ka deklaruar se misioni i EULEX-it e ka detyruar njëfarë forme Agim Zogajn që jep deklarata të cilat i ka dhenë në procedurën e hetuesisë. Ne kemi kërkuar që gjithë ajo që ka ndodhur të vërtetohet, sepse në jemi të dëshpëruar me një gjë të tillë”, është shprehur Gashi.

Në këtë kontekst Gashi ka bërë me dije se kryetari i trupit gjykues ka urdhëruar prokurorin Salustro që t’i sjellë disa dokumentacione lidhur me rastin “Kleçka” konkretisht për ish-dëshmitarin “X”. “Gjyqtari ka lëshuar disa urdhëresa për prokurorin që ai të siguroj disa dokumentacione. Ne shpresojmë që në bazë të këtyre dokumenteve do të shihet se ndoshta atij i janë premtuar gjësende apo të mira materiale, si dhe që të largohet jashtë vendit”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë së qysh para një viti e gjysmë, dëshmitarja “Y” ka ushtruar kallëzim penal kundër prokurorit Salustro. “Dëshmitarja ‘Y’ veçse ka ushtruar edhe një kallëzim penal kundër Salustros dhe ka kërkuar që atij t’i hiqet imuniteti. Por për këtë çështje gjykata nuk ka mundur të vendos, sepse ajo është çështje e instancave të tjera”, është shprehur Gashi.

Avokati Gashi ka shprehur bindjen se dëshmia e dëshmitares “Y” do t’i ndihmoj trupit gjykues që ta zbuloj të vërtetën rreth këtij procesi gjyqësor në mënyrë që t’i rishpallë të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e rastit “Kleçka”.

“Dëshmia e dëshmitares ‘Y’ i ka ndihmuar gjykatës që ta kuptoj të vërtetën se nuk ka ndodhur ajo që po pretendon prokurori në bazë të akuzës së tij. Dëshmitarja ‘Y’ është dëshmitare e mbrojtur, nuk është anonime. Besojmë që dëshmia e saj do t’i ndihmoj gjykatës që ta sjell një vendim sikurse në maj të vitit 2012. Pra presim aktgjykim lirues për Fatmir Limajn dhe të tjerët”, ka thënë avokati Tomë Gashi. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›