“Marrëveshja nuk mund të zbatohet njëanshëm”

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq do të ulen sërish në tavolinën e bisedimeve për arritjen e pajtueshmërisë për planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur më 19 prill. Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton i ka ftuar të dy kryeministrat në takim më 21 maj, për të diskutuar hapat e përbashkët që duhet të ndërmarrin palët për implementimin e marrëveshjes. Analistët politikë konsiderojnë se kjo është lojë politike e Serbisë, ndërsa e fajësojnë edhe Bashkimin Evropian për marrëveshje dykuptimëshe, për të cilën palët vështirë se mund të pajtohen.
Meqenëse takimi i delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë ditë më parë në Bruksel për arritjen e planit implementues të marrëveshjes nuk solli rezultat, u mbetet kryeministrave të të dy vendeve që ta bëjnë një gjë të tillë. Për këtë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq janë ftuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton që të shkojnë në Bruksel më 21 maj. Analisti nga Instituti KIPRED, Shpend Kursani pret të arrihet pajtueshmëria për planin e implementimit të marrëveshjes, por jo edhe zbatim të tij.
“Me siguri do të ketë një pajtim, por i cili jo domosdoshmërisht do t’i qartësojë gjërat dhe marrëveshja do të mbetet e cunguar ashtu siç është dhe normalisht Serbia do të tregohet se është palë e cila don të bashkëpunojë në rajon don të bisedojë me Kosovën dhe në këtë formë do ta marrë edhe datën për fillimin e negociatave me BE-në, ndërsa marrëveshja nuk do të zbatohet”, tha Kursani për Radio Kosovën.
Kursani e quan lojë të Serbisë zvarritjen e pajtueshmërisë mes palëve, megjithëse thotë se nuk është vetëm faji i Serbisë, por edhe i Bashkimit Evropian, i cili sipas tij, me qëllim i shkruan marrëveshjet në një gjuhë që i kënaq të dyja palët, por për të cilin palët vështirë e kanë të vështirë të pajtohen. Sidoqoftë, Kursani thotë se Kosova nuk mund ta zbatojë njëanshëm këtë marrëveshje.
“Pikërisht Kosova meqenëse ka biseduar me Serbinë për veriun e saj nuk mund ta zbatojë këtë marrëveshje në mënyrë të njëanshme, pasi që me këtë marrëveshje Serbia është bërë partner sovran i Kosovës në veri, kështu që Kosova pa Serbinë nuk do të mund ta zbatojë asnjë pikë të kësaj marrëveshje”, tha ai.
Edhe profesori i negocimit ndërkombëtar, Valon Murtezaj thotë se Kosova nuk mund ta zbatojë e vetme këtë marrëveshje, por rol kryesor duhet të ketë bashkësia ndërkombëtare.
“Duhet të kihet durim, të provohen të gjitha modalitetet, në mënyrë që proceset të ecin përpara në bashkëpunim. Pra një rol të rëndësishëm apo kryesor duhet ta ketë edhe bashkësia ndërkombëtare, ata që kanë qenë lehtësuesit por edhe garantuesit e zbatimit të marrëveshjes”, tha Murtezaj.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për normalizimin e raporteve më 19 prill, ndërkohë palët i kanë tejkaluar afatet për hartimin e planit të zbatimit të saj. Pala serbe kërkon që të hapen tema të reja në dialogun Kosovë-Serbi, që nuk janë të përfshira fare në marrëveshjen 15-pikëshe, por, institucionet e Kosovës tërheqin vërejtjen se nuk do bisedohet për asnjë çështje, para se të arrihet pajtimi për zbatimin e planit të marrëveshjes për normalizim të raporteve. /Indeksonline/