Dështimi i Oltës, fitore e Rudinës

Spektakli i njohur i talenteve të vegjël “Gjeniu i vogël” nis edicionin e pestë të hënën në mbrëmje në TV Klan, ndërkohë që zbulohet emri përfundimtar i prezantueses së këtij edicioni, që do të jetë Rudina Magjistari.
Organizatorët e këtij spektakli, ku janë në garë talentet e vegjël të muzikës, kanë menduar fillimisht ta zëvendësojnë moderatoren Suela Demiri me këngëtaren e re Olta Boka. Ishte vendosur nga ata që me moderimin e këtij show këtë vit të angazhohej një këngëtare e re, e cila po ashtu e kishte provuar eksperiencën dhe emocionin e audicionit publik, pikërisht Olta. Por, pas disa provave në skenë, organizatorët kanë konstatuar që Olta nuk ka mundur dot t’i kapë normat e prezantimit.
Kështu që, në momentin e fundit, kanë gjetur një zgjidhje të shpejtë, duke vendosur përfundimisht Rudina Magjistarin në pozicionin e moderatores së “Gjeniut”, që hap siparin të hënën në TV Klan, njoftojne mediat shqiptare. Ndërkohë Rudina, e cila moderon çdo pasdite programin “Takimi i Pasdites” në TV Klan, do të vijojë paralelisht me të dy programet.
Vëllezërit Pandi dhe Bledar Laço kanë bërë një zgjedhje më të sigurt më Rudinën, që si një moderatore e karrierës do të mund ta marrë përsipër këtë show pa problem. Gjithsesi, në këtë intervistë ata janë përpjekur të japin detaje për elementët e spektaklit./Indeksonline/