E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështimi i 28-të në Kosovë, nuk arrihet konstituimi i Kuvendit

Ashtu si edhe në seancat e kaluara parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej as në mbledhjen e 28-të. Skenari ishte i njëjtë seanca zgjati disa minuta dhe u shty pas 48 orësh, më 9 qershor. Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se Lëvizja Vetëvendosje synon të zvarrisë procesin deri në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor.

 “Po tregohet se ka ende kokëfortësi nga mazhoranca dhe nuk ka një reflektim që t’i ndryshojnë edhe veprimet antikushtetuese dhe antiligjore. Ende nuk kemi ndonjë aktgjykim apo akt vendim të Gjykatës Kushtetuese ku tregon se cila është e drejta në këtë aspekt. Duan ta neglizhojnë procesin e konstituimit të kuvendit dhe në këtë formë po trashen problemet e qytetarëve…Rroga iu ecë edhe deputetëve edhe qeverisë, edhe luksi i qeverisë po ecë më shumë se çdo gjë…Vetëvendosja e ka si ide zvarritjen e procesit deri pas zgjedhjeve lokale pastaj të shohin se sit ë ecet tutje”, tha Lushtaku. 

Deputeti i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Arben Gashi dha tre opsione për daljen nga kriza politike.

 “Nuk mendoj se është produktivë. Gjithsesi çdo lëvizje është pozitive, qoftë takim apo diskutim formal. Më dëmshmja për shtetin e Kosovës është status kuoja. Status kuoja e ka mbërritur pikën ku është e padurueshme dhe pa e tolerueshme dhe duhet të ndryshojë. Nënkupton gjetjen e një zgjidhje.

Sipas meje tri opsione janë, një koalicion qeverisës, një qeveri e pakicës ku ne mund të pajtohemi t’i themi në rregull ti po dëshiron që me çdo kusht me qenë, eja bëhu kryeministër po ta jap votën, ose shkuarja në zgjedhje. Unë po e shoh si zgjidhje si dalje nga kjo situatë…Nëse vendos partia po”, tha Gashi.

Kandidatja e shumicës për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi që Gjykata Kushtetuese të reagojë sa më parë lidhur me ngërçin institucional. Ajo akuzoi opozitën për mungesë vullneti në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe refuzoi idenë për formimin e një qeverie të përkohshme.

“Mendoj se është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën, të veprojë sa më parë dhe ta thotë fjalën e vet”, tha Haxhiu.

Lëviza Vetëvendosje këmbëngul që Albulena Haxhiu është figura e duhur për të drejtuar Kuvvendin , ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.

Deri tani kjo e fundit nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për postin  e kryeparlamentares.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›