Arrestimi i 5 personave që spiunonin për Serbinë, Kurti: Po çmontojmë rrjetet e inteligjencës serbe në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se arrestimi dhe vendosja para drejtësisë i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti, është rezultat i operacioneve të suksesshme të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
Sipas Kurtit, këto raste përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin e Kosovës në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se rastet përfshijnë përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mohimin e masakrës së Reçakut.
“Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë.
Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit”, thekson Kurti në rrjetet sociale.
Kurti shkruan më tej se “njëri nga të dyshuarit (A.V.), pas përballjes me dëshmitë, tashmë ka pranuar fajësinë”
Ai ftoi qytetarët e Kosovës që “të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi,” duke shtuar se “Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare.”
/rtsh.al/