Vdesin në aksident këshilltari bashkiak i PS dhe tregtari i armëve të gjahut
Ngjarja në Elbasan-Peqin, viktimat dashamir Leka dhe pedagogu Arben Poroçani
Elbasan- Humbin jetën në aksidentin tragjik këshilltari bashkiak i PS-së, njëkohësisht pedagog në Universitetin Aleksandër Xhuvani dhe tregtari i armëve të gjahut. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:15, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur fshati Paulesh, ku një automjet tip Benz, me targa AA523DA, është përplasur me një tjetër automjet, Ford, me targa AA991AF. I pari humbi jetën gjatë transportit në spitalin e Elbasanit, Dashamir Leka, i njohur edhe si tregtar i armëve të gjahut në këtë qytet dhe dy orë më pas humbi jetën në spital edhe Arben Poroçani, këshilltar i Partisë Socialiste në bashki dhe njëkohësisht pedagog i universitetit. Policia vendore shkoi menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet, ndërsa rezulton se shkak është bërë përplasja e fuqishme e mjeteve si pasojë e shpejtësisë së madhe. Për fat të keq, mjeti Benz ku udhëtonte pedagogu ka dalë nga rruga dhe pakryer disa rrokullisje, si pasojë e të cilave mendohet se janë shkaktuar edhe plagët e shumta. Kurse tregtari Leka mori dëmtime të rënda në vendngjarje dhe dërgimi në spital ka qenë i kotë. Policia deklaroi se shkaku i aksidentit dyshohet shpejtësia e madhe e të dyja mjeteve, por ekspertimi i mëtejshëm do të zbardhë realisht ngjarjen. Mësohet se Poroçani ishte dhe pedagog i jashtëm në universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit, njëherësh edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit. Përplasja ishte mjaft e fortë, sa automjeti Benz, i drejtuar nga këshilltari bashkiak, u përmbys duke dalë jashtë rrugës. Pas mbërritjes së policisë, Poroçani u dërgua me urgjencë në spitalin e qytetit, por ndërroi jetë rreth orës 18:30 si pasojë e plagëve të shumta të marra në trup.