Dështimi në vitin 2009, televizionet heqin dorë nga sondazhet
Pasi dështuan në parashikimin e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 përmes exit- poll-eve, asnjë transmetues shqiptar nuk do të anketojë votuesit për zgjedhjet e 8 majit, raporton agjencia Balkan Insight.
Katër javë përpara zgjedhjeve asnjë televizion nuk ka shpallur se do bëjë sondazh për zgjedhjet. Ndryshe ishte në zgjedhjet e vitit 2009, kur tre televizione komisionuan tre kompani të njohura për të bërë sondazhe.
Por dështimi dramatik i këtyre kompanive në parashikimin e rezultateve, bëri që shumë televizione të heqin dorë nga kjo iniciativë. Eduard Zaloshnja është një ekspert për sondazhet. Ai thotë se dështimi i një emri prestigjioz si Zogby i ka bërë kompanitë të hezitojnë, pasi kjo nuk është një gjë e vogël.
Burimet thonë se një kompani ka bërë sondazhe për të testuar në radhë të parë gatishmërinë e shqiptarëve për të folur për votën dhe ka arritur në përfundimin se do jetë shumë e vështirë që të ketë një sondazh të besueshëm në Shqipëri.