Dështimi për integrimin, Arvizu: Të gjitha palët përgjegjëse
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se është inkurajuese bërja publike e 10 ideve nga ana e kryetarit të opozitës, Edi Rama: “...Mendoj se është inkurajuese, pasi janë disa propozime që mund të krijojnë bazat për debat dhe dialog”
TIRANË Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka fajësuar të gjitha palët për hapat prapa të Shqipërisë lidhur me integrimin. "Të gjitha palët janë përgjegjëse. Disa thonë se bojkoti i opozitës e ndaloi progresin. Opinioni im është se një bojkot i gjatë nuk ishte produktiv dhe nuk e ndihmoi axhendën. Por mendoj gjithashtu se mazhoranca duhet të krijojë kushtet për të ftuar opozitën dhe njerëzit që s’janë mbështetës të PD-së për dialog. Ne flasim për kompromis. Nuk është vetëm faji opozitës, natyrisht që ka përgjegjësi, por mazhoranca ka përgjegjësi parësore, për të tentuar në krijimin e mundësive të prezantimit të propozimeve realiste, të cilat opozita duhet t'i pranojë apo të paktën të kenë mundësi për pjesëmarrje" - tha dje Arvizu. Ambasadori amerikan në Tiranë komentoi edhe 10 pikat e propozuara nga kryetari i opozitës, Edi Rama. "Mendoj se duhet seriozitet për ecjen përpara në kryerjen e reformave. Unë mendoj se është inkurajues fakti i bërjes publike nga PS-ja i 10 ideve. Nuk është për mua të komentoj në mënyrë specifike, por mendoj se është inkurajuese, pasi janë disa propozime që mund të krijojnë bazat për debat dhe dialog. Tani mbetet për dyja partitë të vendosin, por shpresoj se do të shërbejnë si bazë për të biseduar e ecur përpara. Gjithashtu, me rëndësi është rregullorja e Parlamentit. Siç edhe është shprehur edhe shefi i misionit të OSBE-ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, është e rëndësishme për të ecur përpara duke mos humbur kohë, pasi është humbur shumë kohë në dy vitet e fundit. Njëkohësisht gjërat nuk mund të realizohen nesër apo patjetër javën e ardhshme, pasi gjërat që bëhen pa konsensus do t'i përkeqësojnë gjërat. Megjithatë, duhet të jetë një çështje emergjente, pasi është shpërdoruar shumë kohë" - tha Arvizu. Ambasadori informoi paraprakisht mediat edhe për vizitën e tij të afërme në Slloveni, që ka lidhje pikërisht me këtë çështje. "Do të nisem për të qëndruar në Slloveni për 4 ditë për një konferencë. Dua t'u them të gjithëve se jam duke shkuar në Slloveni jo për takime sekrete me Fatos Nanon, Frank Wisnerin apo John Withers. Është një konferencë rajonale, nga ku do të pyes kolegët e mi nga Kroacia dhe Sllovenia se cilat ishin kushtet në këto vende dhe si u realizua ecja përpara në axhendën e reformave dhe mbase ata kanë për të më pyetur çfarë po i ndalon reformat të ecin përpara në Shqipëri", - tha Arvizu.