E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, paralajmërohet përgjigje negative për statusin

Raporti paraprak: “Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në arritjen e kritereve politike për anëtarësim dhe në 12 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit...”

TIRANË Shqipëria nuk ka përmbushur mjaftueshëm kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Edhe pse nuk është raporti përfundimtar, “TCH” ka bërë publike dje draftin paraprak mbi të cilën do të jepet vlerësimi për Shqipërinë më 12 tetor. "Skena e brendshme politike e Shqipërisë u dominua gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e konfrontueshme më tej. Përleshjet e dhunshme ndërmjet protestueseve kundër qeverisë me policinë çuan në vdekjen e 4 personave dhe amplifikuan klimën e mosbesimit mes forcave politike, sikundër dhe ndaj disa institucioneve shtetërore. Zgjedhjet lokale në Maj, megjithëse të vlerësuara si konkurruese e transparente, u shenjuan vendosmërisht nga parregullsitë, që nevojitet të adresohen... ", - thuhet në raportin paraprak. Komisioni Europian rekomandon në të njëjtën kohë rrugën që duhet të ndjekin dy forcat kryesore politike. "Tashmë është urgjente që forcat politike në Shqipëri të rivendosin dhe të ruajnë një nivel të dialogut politik, i cili do të mundësonte funksionimin e duhur të institucioneve kyçe demokratike, veçanërisht Parlamentin, dhe progresin drejt rrugës së integrimit në BE. Kthimi i plotë i Partisë Socialiste në Parlament nga shtatori është hap premtues, që duhet të kontribuojë drejt këtij qëllimi...”,- thuhet në raportin paraprak. Sipas raportit, është thelbësore për partitë politike në Shqipëri që të angazhohen ndaj një procesi të qëndrueshëm e të strukturuar për të punuar së bashku mbi reformat europiane. Komisioni rendit gjithashtu arsyet pse vendi nuk meriton statusin e vendit kandidat. "Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në arritjen e kritereve politike për anëtarësim dhe në 12 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit, siç u identifikuan në Opinionin e Komisionit që miratoi Këshilli në dhjetor. Ka pasur njëfarë progresi në luftën ndaj krimit të organizuar, me përmirësimin e trajtimit të personave që mbahen në burgje dhe të të drejtave të fëmijëve, por progresi mbetet i pamjaftueshëm përsa i takon: gjyqësorit, politikës kundër korrupsionit, të drejtës së pronës dhe përmirësimit të kushteve për komunitetin rom, të cilat i shtohen punës së Parlamentit dhe zgjedhjeve...” Raporti i plotë dhe i detajuar i progresit mbi Shqipërinë pritet të bëhet publik më 12 tetor, pas vendimeve që do të merren nga Kolegji i Komisionerëve për gjuhën që duhet përdorur dhe ndryshimet e mundshme deri në versionin përfundimtar të raporteve respektive ndaj secilit vend aspirant për në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›