E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marketingu ministror i vikendit

Share

Nga Remzi Ejupi

U mjafton një vikend për tu promovuar, atëherë kur skanë me çfarë të merren

Kosova dhe Shqipëria janë parë dhe shihen si diçka e përbashkët. Por jo rrallë e krijuar edhe si ndjenjë nacionalizimi nga shqiptarët e Kosovës ose siç në Tiranë u thonë-kosovarët.

Jemi pra gjithmonë ne, ata që me sy të kthyer nga Tirana dhe me patriotizëm patetik shohim të gjitha rrugët e mundshme që na shpijnë drejt sukseseve të përbashkëta. Raporti i kosovarit me shqiptarin e Shqipërisë është shumë më i afërt sesa e kundërta.

Ne jemi ata që thirremi në një komb të përbashkët derisa nga Shqipëria na përçohen sinjale se jemi larg tyre- në pothuajse të gjitha sferat jetësore. Ne jemi fshatarët e ata janë qytetarët; ne jemi të padijshmit e ata janë të emancipuarit; ne kemi mbetur mbrapa e ata kanë ecur shumë më përpara.

Është një detaj i vogël por për këtë shumë i rëndësishëm kur ata ndryshojnë qasjen ndaj nesh. Sa herë bëhet fjalë për Lekun që ne i themi Euro.

Kosova që nga mbarimi i luftës së vitit 1999 është burim i bërjes biznes të suksesshëm për shqiptarët e Shqipërisë. E ne jemi ata që në emër të patriotizmit kemi hapur dyert për shqiptarët e Shqipërisë duke mos diferencuar asnjëherë në: NE dhe ATA. Përderisa në Tiranë ndaj kosovarëve ka averzion, aq sa edhe një kiosk është zor ta hapin, ndaj të tjerëve si grekët, italianët e maqedonasit të gjitha dyert e dritaret janë të hapura.

Pra, Kosova në sektorë të shumtë ka treguar gatishmëri të ofrimit të komoditetit për biznesmenët e Shqipërisë, disa prej të cilëve gjenerojnë milionat siç janë; kompanitë e sigurimeve, bankat, lojërat e fatit dhe mediumet (elektronike). Qasja e tyre ndaj nesh ka dëshmuar qartë se Kosovën e shohin treg për ta marrë në dorë dhe jo për partneritet.

Janë disa çështje a aspekte kombëtare për të cilat kemi pritur se do mund të nisim rrugëtimin tonë të përbashkët derisa në vazhdimësi jemi injoruar nga Tirana.

Propozuam për një kombëtare të përbashkët, për të ecur përpara bashkërisht dhe papritmas u përqeshëm në mënyrë shumë degraduese nga Tirana duke e ditur fare mire se Kosova dhe tifozët e saj ishin ata që kthyen besueshmërinë e kombëtares. Të mos harrojmë se shumë futbollistë të Kosovës mbajnë fanellën e kombëtares duke dëshmuar kështu se sa të angazhuar jemi për të dërguar potenciale që ti ndihmojmë futbollit shqiptar.

Ndërkohë skanë të ndalur promovimet politike qoftë edhe për një vikend, duke ardhur në Kosovë për të folur për integrime të përbashkëta- biseda këto hipotetike që më shumë i ngjajnë një protokolli diplomatik apo pozimeve ditore.

Një skenë të këtillë teatrale pamë pak ditë më parë kur në një vizitë erdhi ministri i Transportit të Shqipërisë, Sokol Olldashi. Ai premtoi për gjëra që ska autoritet ti realizojë. Tha se do të kemi një hapësirë të përbashkët ajrore, se do të ulen taksat në aeroporte etj.etj.

Derisa realiteti qëndron ndryshe.

Shqipëria nuk ka autoritet të vendosë për asnjërën nga këto premtime për shkak se sikurse aeroporti i Tiranës ashtu edhe ai i Prishtinës janë dhënë me koncesion dhe tash janë nën menaxhimin e kompanive private. Në Tiranë për taksa vendos kompania gjermane Hochtief kurse në Prishinë Limak- dhe jo qeveritë e dy vendeve.

Ndërkohë që Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë ka mbikëqyrësit italianë të deleguar nga Bashkimi Evropian për shkak të mosbesimit që Brukseli ka ndaj vendimeve dhe kapaciteteve vendore të Tiranës. Ministri nga Shqipëria foli edhe për bashkimin e dy hapësirave ajrore me të vetmin ekspert me vete Petrit Sylaj (Leshko), drejtor i Trafikut Ajror të Shqipërisë i cili duhet tu japë llogari italianëve në vendin e tij.

Kompanitë ajrore nga Shqipëria na kanë dëshmuar në vazhdimësi për interesin e tyre për përfitime në Kosovë përderisa ne u kemi propozuar mbi 500 mijë euro si incentivë vetëm për tua lehtësuar udhëtimin pasagjerëve të dy vendeve, e cila doli të jetë edhe një mashtrim. Interesi i kompanive nga Shqipëria, të cilat as aeroplanë të tyre nuk kanë por i marrin me qera, ishte që të merrej tregu i Kosovës për të operuar në Evropë duke mashtruar udhëtarët me promovimin e linjës Prishtinë-Tiranë.

Deklaratat e ministrit Olldashi kësaj radhe ishin një mashtrim i nivelit diplomatik- për promovime politike. Po ta kishte seriozisht Shqipëria bashkimin e hapësirave ajrore do të angazhohej shumë më parë. E sot kur ka ardhur koha që të vendoset se kush do ta marrë nën kontroll hapësirën ajrore të Kosovës, derisa KFOR-i do ta dorëzojë shumë shpejt këtë përgjegjësi, hapësira ajrore e Kosovës rrezikon të bjerë në duart të ndonjë vendi të largët siç është Hungaria…

Është ky imazhi i keq që përcjell politikëbërja e lidhur me grupe të caktuara të biznesit në Tiranë pasojat e të cilave i bartim edhe ne si Kosovë me një skenë politiko-biznesore poashtu denigruese. Në kohën kur më shumë se kurrë na duhet ecja e përbashkët në shtegun e integrimeve europiane në sektorët më të rëndësishëm të të dyja shteteve ne injorohemi nga Tirana e cila në raport me neve mund të jetë në avantazh por në krahasim me vendet e rajonit i mbetet edhe shumë për të bërë. E në fund të fundit në sy të Evropës kur flitet për të keq- jemi të gjithë shqiptarët ata që futemi në një thes, pa u bërë dallimi Kosovë apo Shqipëri.

Ky ishte vetëm një vikend edhe i një Ministri nga Tirana në Kosovë për të hedhur hi syve. Deklaratat e politikanëve nga Shqipëria që mbushën me shpresë kosovarët e që për qëllim kishin marketingun e tyre personal dhe kuptohet politik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›