E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështoi forca e fjalës, na mbeti vetëm greva

Janë 21 invalidë para dhe tetraplegjikë, të cilët janë tërhequr në godinën e Shoqatës te ish-uzina “Tirana”, për të hyrë në një grevë urie duke e parë si të vetmin mjet demokratik që u ka mbetur në dorë për të detyruar pushtetin që të kthejë sytë nga ata. Kërkesat e herëpashershme që i janë dërguar qeverisë nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Sot, pas dy vitesh nga premtimet e fundit që iu bënë, kur ata, sikurse dhe sot, ishin në një grevë urie, pak gjëra janë bërë. Bilanci i premtimeve është vetëm një indeksim bërë në muajin dhjetor pagesës së invalidit, nga 8700 lekë në 9000 lekë dhe pagesës së kujdestarit, nga 9200 lekë në 9500 lekë. Në ambientet e Shoqatës, ku është instaluar dhe greva, ajo që bie në sy është trishtimi i njerëzve që e kanë humbur shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet, aq më tepër në një kohë kur gëlon fushata elektorale. Pikërisht këtu ndalen dhe bëjnë një thirrje, që kërkesat e tyre të politizohen nga njëra apo tjetra palë për interesa personale. Trishtimin për situatën individuale e mbulon ai për gjendjen kolektive, ku ka mjaftuar një ditë grevë urie që të fillojnë edhe shenjat e para të shqetësimeve shëndetësore dhe njëri nga grevistët të shkojë në spital. Sal Paci, i cili ka hyrë në grevë në vend të gruas, ka qenë i pari që është dërguar me urgjencë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, nën mbikëqyrjen e mjekëve. Të gjithë janë në grevë për të njëjtën arsye, problemet ekonomike dhe mbi shpatullat e secilit rëndon një histori e dhimbshme njerëzore. Nga këta, 21 grevistë janë 7 gra dhe 14 burra, nga i gjithë vendi. “Jemi dhe më shumë, thjesht nuk duam t’i japim përmasa më të mëdha këtij mjerimi. Ka nga ata që i kemi detyruar të rrinë jashtë grevës prej gjendjes së tyre. Nuk duam të matim forcat me askënd, thjesht duam mbështetjen që na takon, për të cilën shteti shqiptar na detyrohet për aq kohë sa jemi qytetarë të tij. Kur dështoi forca e fjalës, na mbeti në dorë vetëm forca e grevës, dhe këtë po bëjmë sot”, shprehen grevistët.

Nuk duam lëmoshë, por atë që na takon

Situata e vështirë ekonomike, ku paratë, siç shprehen ata, nuk iu dalin as për të siguruar një jetesë në kushte minimale, i ka detyruar që të hyjnë në grevë urie. Janë të vendosur të vazhdojnë deri në fund në këtë rrugë, por duke mos humbur për asnjë moment ndjenjën e qytetarisë. “Ishte i fundit mjet demokratik që na mbeti në dorë për kërkesat tona”, shprehet Adivie Hoxha, njëra prej grevistëve. Edhe Rakip Doçi, baba i tre fëmijëve, kërkon zgjidhje duke i mëshuar faktit që t’i jepet fund indiferencës me të cilën trajtohet kategoria e invalidëve para dhe tetraplegjikë.
Pse zgjodhët të hyni në këtë grevë?
Adivie Hoxha: Hymë në këtë grevë urie pasi ishte masa e vetme demokratike që na mbeti në dorë pas dhjetëra protestave, ku kërkesat tona shkuan të gjitha në vesh të shurdhët. Kjo grevë erdhi spontanisht dje (para tri ditësh), kur zhvilluam protestën e fundit dhe ku morëm vetëm indiferencë.
Rakip Doçi: Jam në këtë grevë vetëm prej problemeve ekonomike që kemi. Ndër vite na janë bërë premtime dhe ato nuk janë mbajtur. Në këto kushte, vuajmë, stresohemi dhe më e dhimbshme është kur shohim se bëhen shpenzime kolosale për fushata zgjedhore dhe ne mendojmë bukën e gojës.
Sa pjesëtarë jeni në familje dhe si e menaxhoni jetesën?
Adivie Hoxha: Katër pjesëtarë jemi në familje. Dy prindërit e mi janë pensionistë, ndërsa vëllai, që është 27 vjeç, kujdeset për mua. Ai ka mbaruar shkollën për Infermieri të Përgjithshme, por nuk ka gjetur një punë ku ta paguajnë, pasi dihet pak a shumë si janë gjërat në vendin tonë, dhe punon vullnetar. Me paratë që hyjnë në shtëpi mezi arrijmë të mbijetojmë.
Rakip Doçi: Kam mbetur në karrigen me rrota pas 27 vitesh punë në ndërtim, ku dhe pësova aksidentin. Prej shtatë vitesh jam në këtë situatë. Jam kryefamiljari i një familjeje me pesë anëtarë, nga të cilët gruaja është kujdestarja ime, njëri nga fëmijët është pa punë, tjetri në shkollë dhe më i madhi në emigrim. Me ato pak para që na dërgon ai dhe me këto lëmosha që na jepen, ne si kategori mezi arrijmë që të mbijetojmë. Prandaj dhe jemi sot këtu jo për të kërkuar lëmoshë, por vetëm atë që na takon.
Ka ardhur ndokush t’ju takojë nga institucionet?
Adivie Hoxha e Rakip Doçi: Jo, askush nuk ka ardhur deri tani.

Kërkesat e grevistëve

1. Rritje e përftimit të karburantit në nivelin 80 litra naftë në muaj, pavarësisht nga rritja e vazhdueshme e çmimeve në bursë.
2. Respektimi i Ligjit 8626 për rritjen e pagave të paaftësisë sipas pagës minimale, ku duhet të merrnin 10 200 lekë dhe aktualisht merren 9000 lekë paraplegjiku dhe 9500 lekë kujdestari.
3. Rritjen e përfitimit të paketës higjieno-sanitare e premtuar nga qeveria, që të shkojë deri në kuotën 30 mijë lekë në muaj, pasi kostoja ditore është një mijë lekë në ditë.
4. Respektimi i Ligjit 8626, nr. 407, datë 29.08.2002 për të drejtën e strehimit. (Garantoheshin kredi të buta për blerje banese.)
5. Të shihet mundësia e ngritjes së një ambienti çlodhës kreativ për këto kategori në bregdetin Adriatik, pasi dihet se kura më e mirë për rigjenerimin e nervave për këtë target grup është plazhi.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›