E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai na shfrytëzoi për 1 mijë lekë

Pëllumb Mullaj, i akuzuar për shfrytëzimin e të bijave

Dëshmia e dy motrave të mitura me inicialet I.P., dhe M.P., tashmë 13 dhe 15 vjeçe, e rëndon akoma dhe më shumë pozitën e babait të tyre, i cili i shfrytëzoi ato për prostitucion.Vajzat tashmë në moshën e adoleshencës, kanë rrëfyer në Policinë e Korçës se ato janë shfrytëzuar sistematikisht nga babai i tyre, Pëllumb Mullaj, me qëllim përfitimin e parave. Ato ishin të detyruara të punonin në këmbim të 1 mijë apo 2 mijë lekëve, e më pas tia jepnin paratë babait të tyre 52-vjeçar. Dëshmia e dy motrave të mitura është bërë pak ditë para se Policia e Korçës të organizonte operacionin e koduar Junior dhe të prangoste babain e tyre, tutorin 79-vjeçar nga qyteti i Korçës, Nevruz Kollani si dhe dy persona të tjerë madhorë, të cilët kryenin marrëdhënie me to, Andria Nameti, 62 vjeç dhe Skënder Korollari, 35 vjeç, që të dy nga fshati Mbrorje. Ndonëse të miturat prej shumë kohësh trajtoheshin edhe me ushqim e fjetje në një qendër të financuar nga një fondacion holandez, ato takoheshin nga i ati herë pas here. Ky i fundit i merrte nga qendra ku jetonin për shkak të varfërisë së familjes dhe më pas i detyronte të prostituonin në këmbim të parave. Nga frika vajzat nuk kanë kryer denoncim, derisa Policia e Korçës mori sinjale nga banorë, të cilët kanë dyshuar për lëvizjet e personave madhorë në banesën e të moshuarit si dhe prezencën e herëpashershme të dy vajzave në të njëjtën banesë. Pas sinjalizimit të dhënë, policia nisi hetimin edhe me metodat speciale të saj, duke dokumentuar veprimtarinë e jashtëligjshme të shfrytëzimit të të miturave. Pas arrestimit të katër personave, njëri prej të cilëve babai i të miturave, nëna e tyre pohoi se kishte qenë në dijeni të ngacmimeve seksuale që iu bënte i 79-vjeçari në shtëpinë e tij. Ne ishim të varfër. Ai vinte si mik familje, i joshte vajzat, asokohe 8 dhe 10 vjeçe, me rroba e ushqime, aq sa ato filluan të flinin tek ai. Më thoshin se ai i prekte natën, por unë nuk munda ta denoncoj. Ne jemi të varfër, isha e pafuqishme të veproja. Kështu është shprehur pas arrestimit të të shoqit, Marjana Mullaj. Ndërkaq, burime të policisë bënë të ditur se të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën. Mësohet se babai i viktimave të shfrytëzimit ka mohuar që ti ketë detyruar të bijat të shfrytëzohen seksualisht për qëllime fitimi të tij. Ai ka pohuar se ishte në dijeni të ngacmimeve seksuale të vajzave kur ato shkonin tek 79-vjeçari në shtëpinë e tij, dhe për këtë i rrihte. Por ai ka hedhur poshtë faktin se merrte para në këmbim të marrëdhënieve të vajzave të tij me persona të tjerë. Nga ana tjetër, Policia e Korçës tha se ka të dokumentuar provat që vërtetojnë se 52-vjeçari, Pëllumb Mullaj, ka shfrytëzuar për qëllime fitimi me anë të prostitucionit dy vajzat e tij të mitura.

Denoncon të dashurin: Më trafikoi në Greqi

KORÇE – E denoncoi 17-vjeçarja, se tentoi ta shfrytëzonte si prostitutë, arrestohet pas riatdhesimit nga Greqia. G.Bitri, 29 vjeç nga Durrësi, u prangos mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Korçës me akuzën e trafikut të femrave. Shtetësja me inicialet M.T, nga Tirana, denoncoi të riun durrsak pasi ky i fundit e kishte mashtruar. Adoleshentja ka pohuar se e kishte pasur të dashur 29-vjeçarin dhe se ai i kishte premtuar se do të jetonin të dy së bashku në Selanik. Por pasi kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale dhe kanë mbërritur në Greqi, i riu ia ka  dorëzuar atë dy personave të tjerë. Ajo i ka kërkuar ndihmë policisë, e cila e ka riatdhesuar bashkë me 29- vjeçarin. Pas mbërritjes në Policinë e Korçës, adoleshentja ka bërë kallëzim, ndërsa blutë kryen prangosjen e të riut.                                     g.a

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›