E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramiz Alia: Pse e humba Tiranën në zgjedhjet e 91

Nuk janë më në pushtet, por ama kanë qeverisur në periudhat më kyçe për Shqipërinë. Janë ish-presidentë apo ish-kryeministra, të cilët kanë vendosur të rrëfejnë kohët kur ata kanë drejtuar vendin. Pesha e pushtetit, kështu titullohet libri i Milena Haritos, e cila ka intervistuar 8 ish-pushtetarë shqiptarë të 20 viteve të fundit.

Ata janë Ramiz Alia, Rexhep Meidani, Aleksandër Meksi, Alfred Moisiu, Fatos Nano, Ylli Bufi, Bashkim Fino e Vilson Ahmeti. Dje, në ambientet e Teatrit të Metropolit, autorja bëri promovimin e librit të saj, botim i shtëpisë botuese Toena, ku merrnin pjesë edhe dy ish-presidentët Meidani e Moisiu. Për publicistin Preç Zogaj, ky është një libër me vlera jo vetëm se ndihmon në ndërtimin e dëshmie të plotë për 20 vitet e tranzicionit, por edhe nga mënyra se si është strukturuar. Jo si një renditje intervistash, por e renditur në bazë tematikash, duke dhënë mundësi edhe krahasimore mes të intervistuarve, të konfrontojë inteligjencën, por edhe këndvështrimet e tyre. Sipas shkrimtares Diana Çuli, libri i Haritos është ndryshe nga të gjithë ata që janë shkruar në këtë lëmë. Duke qenë larg (në Paris) autorja e sheh gjithçka nga një lloj distance dhe arrin të jetë e ftohtë dhe pa paragjykime. Bisedat u ndërtuan në mënyrë të tillë që secili të jepte sa më tepër detaje konkrete mbi punën në drejtimin e Shqipërisë. Sigurisht, këto biseda nuk pretendojnë të trajtojnë subjektin në mënyrë tërësore. Nuk është fjala këtu për një studim historik ose sociologjik. Por rrjedha e tyre jep një panoramë të përmbledhur e të shpejtë të historisë sonë të përbashkët njëzetvjeçare, që prej shpalljes së pluralizmit në Shqipëri në dhjetor 1990, me fjalët e disa prej protagonistëve të kësaj historie, thotë Milena Harito. Këtij libri i mungojnë bisedat me Sali Berishën, Ilir Metën, Bamir Topin e Pandeli Majkon, të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës së autores. Më poshtë po radhisim disa nga çështjet e trajtuara në këtë libër, sipas dy dëshmitarëve të kohës, Ramiz Alia dhe Ylli Bufi. Renditja e pjesëve është redaksionale.
PJESE NGA LIBRI-Në fundin e vitit 1990, nomenklatura komuniste e kishte kuptuar që ishte e detyruar të lëshonte pushtetin. Por në përpëlitjet e fundit të dinozaurit mund të ndodhnin gjëma. Misioni që i jep vetes Presidenti Alia është të evitojë gjakderdhjen.
Ramiz Alia: udhëheqja e PPSH-së së asaj kohe, si dhe unë që kryeja detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe të Presidentit të Republikës, e kishim të qartë se duheshin bërë ndryshime duke e përshtatur sistemin tonë shoqëror situatave të krijuara. Këto përpjekje janë bërë gjatë viteve 1988-1990. në veçanti gjatë vitit 1990, me këtë synim u mbajtën, si asnjëherë tjetër, katër Pleniume të KQ-së të Partisë, në të cilët u morën shumë vendime liberalizuese. Por duhet thënë se synimi ishte të zbutej sistemi, ti hapej rrugë kuadrit të rendit shoqëror socialist, por… brenda kuadrit të rendit shoqëror socialist, pa prekur thelbin e sistemit socialist. Kur filloi Lëvizja Studentore, në fund të vitit 1990, ishte e qartë se tashmë nuk mund të ecej më tej pa bërë ndryshime të thella, të cilat do të preknin vetë rendin socialist. Kishte ardhur momenti për ti hapur rrugë demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut. Ne ishim të ndërgjegjshëm që duheshin bërë ndryshime. Siç e thashë, kur filloi Lëvizja Studentore, nuk kishte më vend për iluzione. Atëherë, shqetësimi i vetëm ishte që kalimi drejt demokracisë pluraliste të realizohej duke evituar pasojat që mund të dëmtonin interesat e vendit. Për këtë arsye, kur filloi Lëvizja Studentore, unë doja të evitoja atë çka ishte më e rrezikshme për popullin tonë, domethënë gjakderdhjen. Nuk duhet harruar që bëhet fjalë për fundin e vitit 1990. Atëherë shumica e njerëzve nuk mendonin si sot, përkundrazi ishin të lidhur me sistemin shoqëror socialist, i cili ishte vendosur në vendin tonë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, një nga përplasjet në gjirin e shoqërisë sonë ishte e mundshme. Pikërisht, evitimi i përplasjes, e cila mund të sillte gjakderdhjen, një gjakderdhje të dimensioneve të mëdha, përbënte shqetësimin kryesor për mua si President i Republikës, por edhe për udhëheqësit e tjerë të asaj kohe.
Tensioni i zgjedhjeve të marsit 1991 dhe rifitoja e Partisë së Punës
Ramiz Alia: Situata në atë kohë ishte shumë e komplikuar. Përpjekjet bëheshin për ta qetësuar gjendjen. PD-ja doli si një kundërshtare e rreptë, sepse ajo donte pushtet dhe bënte gjithçka për ta fituar atë. Në zgjedhjet e marsit të vitit 1991, unë kisha vënë kandidaturën në Tiranë, megjithëse shumë njerëz më këshilluan që të mos e vija në Tiranë, pasi, siç më bënë me dije, PD-ja po merrte masa të ndryshme të sabotonte kandidaturën time. Një nga këta dashamirës ishte edhe Sabri Godo, atëherë kryetar i Partisë Republikane. Por unë ngula këmbë, sepse, po të largohesha unë, kjo do të thoshte që të mbillej panik në të gjithë kandidatët e tjerë në Tiranë. Ska gjë thashë, edhe po humba unë, kam besim se kjo nuk do të përcaktojë edhe humbjen e partisë. E në fakt humba.
Pas rënies së diktaturës, në shkurt 1991, është Ramiz Alia President i vendit, ai që emëron kryeministër Fatos Nanon dhe më pas Ylli Bufin.
Ramiz Alia: Qeveria e Nanos u zgjodh menjëherë pasi u bënë zgjedhjet parlamentare të vitit 1991. Nga Kuvendi i parë pluralist u zgjodha unë, President i Republikës dhe, me propozimi tim, qeveria e parë në pluralizëm me kryeministër Fatos Nanon. Unë e propozova Fatos Nanon, sepse për mua ishte njeri i aftë, ishte ekonomist i zoti, kishte kulturë etj. Nga krahu i majtë, për mendimin tim, ishte njeriu më i përshtatshëm. Në atë kohë kështu mendoja. Këtë mendim kisha edhe për Shkëlqim Canin që u zgjodh zv/kryeministër, pastaj Guvernator i Bankës Kombëtare, meqenëse ishte i specializuar kryesisht në atë fushë. Kështu qeveria e parë u krijua krejtësisht socialiste, nga krahu i majtë, me njerëz të rinj profesionistë. Por kjo qeveri nuk pati jetë të gjatë, që nga mars-prilli deri në qershor. Pastaj, në kushtet që u krijuan, Kryeministri u detyrua të japë dorëheqjen dhe në vend të tij u caktua Ylli Bufi, që të krijonte qeverinë e re. Në kohën që u caktua Ylli Bufi si Kryeministër, unë mblodha përfaqësuesit e të gjitha partive për të diskutuar lidhur me përbërjen e qeverisë, e cila ishte menduar të ishte një qeveri me bazë të gjerë, pra me përfaqësues të të gjitha forcave politike, si të majta, ashtu edhe të djathta.
Shumë i ri, në qershorin e vitit 1991, Ylli Bufi ishte sidoqoftë një nga kuadrot me eksperiencë të Partisë së Punës, kur i propozojnë të bëhet Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit

Ish-kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi

Ylli Bufi: Mbas zgjedhjeve të vitit 1991 shpejt u bë e qartë që duhej një zgjidhje e përkohshme që të kalohej përsëri në zgjedhje të përgjithshme. Këtu u hodh ideja që të bëjmë një qeveri të përbashkët. Kërkesa vinte nga PD-ja e mbështetur edhe nga Ambasada Amerikane. Në qershor të vitit 1991 u arrit marrëveshje politike, ku Partia e Punës ra dakord të ndante pushtetin e vet me forcat e tjera politike, veçanërisht me PD-në, gjë që praktikisht ishte shumë në atë kohë kur PP-ja kishte mbi 60% të votave në Kuvend. Zgjidhja politike në thelb ishte një marrë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›