Dështon Task-Forca e dytë për kromin, vazhdon kaosi në Bulqizë
Task-Forca e re, e ngritur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), për ndalimin e punës së jashtëligjshme në galeritë dhe stoqet e kromit në Minierën e Bulqizës, ende nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv në këtë drejtim. Ngritja me aq bujë e kësaj Task-Force të re, pasi kishte dështuar një e tillë e ngritur më parë, u konfirmua në mesin e muajit maj nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një vizite të bërë për këtë qëllim në këtë minierë.
Por është evidente tashmë se edhe kjo e dyta do pësojë fatin e së parës. Kështu, edhe pse kanë kaluar dy javë nga ngritja e saj, jo vetëm që nuk ka rezultat të dukshëm në këtë drejtim, por as edhe gjurmë të veprimit të kësaj strukture të ngritur. Ndërkohë, gjatë javëve dhe muajve të fundit edhe si rezultat i ngritjes së çmimit të kromit në Bulqizë, situata është problematike për sa i takon aktivitetit minerar. Veçanërisht, pjesa jugore e minierës, e njohur si “Zona D” dhe e përcaktuar me rrezikshmëri të lartë, rezulton të jetë e përfshirë në disa raste nga aktivitete të firmave private të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të kromit, apo përfshirjes në punë të personave nën moshën e punës.
Task-Forca e parë, nëse nuk arriti asnjë rezultat në ndalimin e punës së jashtëligjshme, konfirmoi përplasjen mes strukturave vendore dhe atyre qendrore, që akuzojnë reciprokisht njëra-tjetrën për përcaktimin e subjekteve të palicencuara. Kështu, sipas strukturave qeverisëse vendore, thuhet se është Ministria e Ekonomisë ajo që duhet të përcaktojë subjektet e paligjshme, pasi është ky dikaster që ka dhënë dhe jep lejet minerare për shfrytëzimin e galerive. Më e prekur nga puna e jashtëligjshme në zonën D të minierës, mbetet firma koncesionare austriake “Albanian Chrome” (ACR) që aktualisht shfrytëzon këtë minierë.
Të paktën gjashtë firma private të licencuara nga METE në Zonën D kanë probleme me firmën koncesionare ACR, pasi shfrytëzojnë galeritë e tyre nëpërmjet territorit të saj. Kjo për faktin se këto të ashtuquajtura firma janë të pamundura financiarisht për të hapur galeri për shfrytëzimin e trupit minerar për të cilin disponojnë edhe lejen e shfrytëzimit.
Një tjetër problem për firmën koncensionare që administron minierën, ku aktualisht punojnë 700 minatorë, mbetet edhe ai që lidhet me grumbullimin e mineralit nga ana e këtyre firmave, po brenda territorit të administruar prej saj. Gjithsesi, përpara kësaj situate problematike konfliktesh që ekzistojnë në Minierën e Bulqizës, për shfrytëzimin e mineralit të kromit, ngritja e “Task-Forcave” të METE-s, për ndaljen e punës së paligjshme ngjason me lojën “e ka kush e ka”. Kjo pasi strukturat e qeverisjes vendore pretendojnë se është Ministria e Ekonomisë ajo që duhet të përcaktojë subjektet e paligjshme, pasi vetë ajo i ka dhënë këto leje dhe jo strukturat e qeverisjes vendore.
#