Turqi, emocione dhe lot në varrimin e aktivistëve të vrarë
Emocionet kanë qenë shumë të mëdha në Turqi gjatë varrimit që u është bërë dje të vrarëve në sulmin e hebrenjve në anijet që po shkonin për të shpërndarë ndihma në Gaza. Trupat e personave kanë ardhur nga Izraeli në Stamboll të shoqëruar nga 450 aktivistë dhe janë pritur në aeroport si heronj. Ndërkohë, Izraeli ka bërë të ditur se nuk është e nevojshme ndërmarrja e një hetimi ndërkombëtar në lidhje me incidentin, duke qenë se ai ka respektuar ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Gjatë ditës së djeshme hetimin ndërkombëtar e ka kërkuar edhe këshilli i të drejtave të njeriut. Kryeministri hebre, Natanjahu, tha se trupat e tij nuk kishin asnjë shans tjetër për të vepruar përveçse të kryenin veprimin që kryen. Ai argumentoi se flota nuk kishte për qëllimi ndarjen e ndihmave amerikane, por të thyente bllokadën e Gazës. Ishte në interesin e Izraelit që të parandalonte shpërndarjen e raketave dhe të armëve të tjera në Gaza nga ana e Iranit drejt Gazës dhe “Hamas”-it që qeveris këtë vend. Turqia një nga aleatët e paktë që ka Izraeli në rajon ka thirrur ambasadorin e saj në Tel Aviv pas incidentit të së hënës. Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul, tha se marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk do të ishin kurrë më si më parë.
“Ky incident ka shkaktuar një çarje shumë të madhe në marrëdhëniet tona”, ka deklaruar ai në Ankara para gazetarëve. Ndërsa zëvendëskryeministri i vendit, Bulent Arinc, në një deklaratë në aeroport e akuzoi Izraelin për “pirateri” dhe “barbarizëm dhe presion”.
Turmat e njerëzve, disa me shalle palestineze mbi krye u mblodhën në qytet për të pritur arkivolet e aktivistëve të vrarë pas sulmit hebre. Ndër të vdekurit bën pjesë një djalosh 19-vjeçar nënshtetas turk me pasaportë amerikane i qëlluar me plumba në gjoks dhe në kokë dhe një atlet turk. Trupat janë shoqëruar nga 450 aktivistët e liruar në Izrael që kanë mbërritur në bordin e 3 avionëve luftarakë izraelitë. Numri dy i qeverisë falënderoi fondacionin që luajti një rol të madh në organizimin e ndihmave. Aktivistët që kanë qenë në anijet e ndihmës kanë folur për tmerrin që kanë përjetuar gjatë sulmit të hebrenjve. Një shkrimtar suedez që kishte qenë në bordin e njërës prej anijeve tha se ishte i bindur që aktivistët nuk kishin asnjë lloj armatimi me vete. “E vetmja armë që hebrenjtë gjetën në anije ishte brisku im i rrojës”, ka deklaruar ai për radion suedeze. Për sa u përket anijeve të tjera është duke u përgatitur një tjetër që do të niset sërish drejt Gazës për të çarë bllokadën. Në të ndodhet edhe një nobeliste paqeje nga Irlanda. Ajo nuk është nisur për shkak të disa problemeve teknike dhe pritet që të jetë në rajon të shtunën. Ndërkohë, burimet izraelite kanë bërë të ditur se nuk do ta lejojnë që ajo të kalojë dhe të futet në Gaza.
Për sa u përket 10 tonëve të ndihmave që janë marrë nga flota e aktivistëve, ato ndodhen në një port hebre. Qeveria e “Hamas”-it që kontrollon Gazën ka refuzuar që t’i pranojë derisa aktivistët e flotës të lihen të gjithë të lirë.
#