Promovohet në Romë Një histori shkodrane
U promovua në Romë libri “Një histori shkodrane - Flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare” i autorit triestin Paolo Muner. Në një ceremoni zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane”, mori pjesë ambasadori Ferdinando Salleo, i cili ligjëroi mbi këtë vëllim, “duke i shtuar një vlerë të vërtetë këtij libri”, siç edhe tha autori Muner.
Ish-oficeri i Forcës Detare Italiane, Paolo Muner, përmes këtij vëllimi, sjell prej arkivave të qeverisë detare austriake në Trieste dokumente e të dhëna historike, të cilat nuk njiheshin as nga historianët shqiptarë. Ai na njeh me flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare (1913-1914). Libri përshkruan rezultatet e një studimi që ka marrë spunto nga një episod, i cili kishte të bënte me afirmimin e pavarësisë së Shqipërisë. Bëhet fjalë për probleme që kanë ndodhur gjatë viteve 1913/’14, nga anija e parë tregtare që valëviti një flamur shqiptar. Autoritetet detare (austriake), pranë së cilës kjo anije ishte prezantuar, kishin vështirësi të njihnin përkatësinë shtetërore dhe konfigurimin grafik të flamurit, një problem që nuk do të kalojë edhe kaq lehtë për shqiptarët. “Një histori shkodrane”, një botim dygjuhësh në shqip e italisht nga "Almera", vjen me përkthim të Albana Nexhipit. Libri u promovua vitin e shkuar në Shqipëri. Në këtë takim promovues në Romë, morën pjesë edhe ambasadorë të tjerë në shërbim ose jo, siç ishte Llesh Kola, ambasadori shqiptar në Itali, ish-ambasadori i Federatës Ruse Anatolij Adamiscin dhe ish-ambasadori i ish Jugosllavisë, Miodrag Lekiç. Nuk ka munguar edhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili aktualisht kryen funksionin e këshilltarit të kulturës në ambasadën shqiptare në Romë. Veprimtaria u shoqërua edhe nga pjesë muzikore të kompozitorit shkodran Lec Kurti, nën interpretimin e violinistes shkodrane Anyla Kraja dhe pianistes Fabiana Biasini. Muzika e shoqëroi këtë takim promovues si për të krijuar një ambient të përshtatshëm pikërisht për vitet dhe kohën të cilës i referohet Muner në këtë “histori shkodrane”. Paolo Muner ka kaluar periudha të gjata me shërbim në Shqipëri. Me të lënë shërbimin aktiv, Muner u është kushtuar, mes të tjerave, edhe studimeve historike me subjekt shqiptare.
#