Dështon konsensusi për imunitetin Berisha kërkon referendum për ti ikur situatës
Surpriza
Kryeministri, pas tetë orë debatesh, kërkon të pyesë popullin për ndryshimin kushtetues
Fatjona Mejdini
Kryeministri Sali Berisha, pas tetë orësh diskutimesh dhe debatesh në Kuvendin e Shqipërisë, kur dukej qartë se mes palëve nuk do të kishte asnjë konsensus për të hequr imunitetin përmes Kushtetutës, bëri një lëvizje surprizë. Për herë të parë, pas shtatë vitesh, Berisha, për mungesë të 93 votave në Parlament, shpalli çeljen e procedurave për referendum, për tu kërkuar shqiptarëve nëse do të pranonin ose jo heqjen e imunitetit. Por duket se kërkesa për referendum, e ardhur në momentin e fundit të diskutimeve në Parlament, ishte një taktikë e Kryeministrit Berisha për të mos e lejuar mazhorancën të përfshihej në një proces votimi të njëanshëm për një çështje. Kjo për shkak se procedura e mbledhjes së 50 mijë votave për të kryer një referendum përpara zgjedhjeve të ardhshme duket një mision i pamundur. Gjithsesi, pak minuta më vonë, kreu i opozitës deklaroi se referendumi ishte një ide e mirë, por ai duhet të siguronte se qytetarët do të pyeteshin për ndryshime të tjera në Kushtetutë, në kuadër të reformimit të drejtësisë. Duket se as referendumi nuk mund ti bëjë të dy palët të bien dakord, nisur nga kërkesat e ndryshme që kanë, në lidhje me masën në të cilën Kushtetuta duhet të ndryshohet.
Berisha
Seanca e djeshme parlamentare, e konsideruar si kyçe, për sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfundoi në mënyrë të paparashikuar. Në herën e tretë dhe të fundit të marrjes së fjalës, Kryeministri Berisha kërkoi referendum për sa i përket çështjes së imunitetit. Duke iu referuar Kushtetutës, Berisha theksoi se mazhoranca do tu kërkonte qytetarëve që të vendosnin për imunitetin, duke qenë se sipas tij, opozita kërkonte të bllokonte. Ka vetëm një vullnet opozita, bllokim, bllokim, bllokim. Mendoni se do ta fitoni këtë betejë? Kurrë. Kjo betejë do të fitohet nga ata që janë të vendosur për një standard të ri moral. Nëse ju sot u bëtë bllok dhe lartësuat murin e korrupsionit dhe të imunitetit, që nesër forca ime politike, mazhoranca jonë do tu drejtohet popullit për referendum popullor për heqjen e imunitetit. Të gjithë do të votojmë së bashku në një plebishit të vërtetë heqjen e murit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin solemn se do të ecim drejt referendumit popullor, deklaroi Berisha në mënyrë të papritur. Por duket se kjo deklaratë i shërbeu kreut të qeverisë për të dalë nga situata e krijuar në Kuvend, ku ndonëse 32 deputetë diskutuan gjatë, përsëri nuk kishte asnjë sinjal pozitiv për të bërë bashkë 93 votat që kërkoheshin për amendimin e Kushtetutës. E vërteta është se procedurat e një referendumi dhe po kështu kostoja e tij do të ishin të vështira për tu realizuar në një kohë kur vendin e ndajnë 10 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Rama
Kryetari i opozitës, Edi Rama, iu përgjigj menjëherë, përmes rrjeteve sociale, kërkesës së Berishës për referendum, duke theksuar se kjo ishte ide e mirë, por veçse shqiptarët duhet të pyeteshin dhe për paketën e propozimeve që ofronte opozita për reformën në drejtësi. Jemi gati ta pyesim popullin për gjithë paketën e ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë, ky do të ishte referendumi real. Përderisa për imunitetin kemi rënë dakord e për ndryshimet e tjera Saliu fshihet, le ti ballafaqojmë hapur me popullin vizionet e argumentet. Kështu le tua lëmë shqiptarëve ta ndajnë a duhet ndryshuar në Kushtetutë vetëm pika e imunitetit apo edhe propozimet e tjera të opozitës! Si thua Sali? Nëse ke kurajë jo për t’u tallur me popullin, po për t’u ballafaquar me opozitën përpara popullit, eja bëjmë referendumin!, deklaroi Rama, në përgjigje të kërkesës së referendumit nga Berisha. Nga ana tjetër, deputeti socialist, Erion Braçe, deklaroi dje se Berisha po luante me blofin, nisur nga fakti se, përpara se ta çonte për referendum një ndryshim kushtetues, ai duhet të ishte miratuar në Parlament me 93 vota.
Proceduralisht në referendum shkojnë vetëm amendamente të miratuara me 2/3 në Kuvend! Kjo e nxjerr Berishën një gënjeshtar të pacipë. Në Kuvend as që është votuar ndonjë amendament jo më të ketë marrë kushtin kushtetues prej 2/3-tash. Nuk ka gjasë që Sali Berisha të mos e dijë përmbajtjen e Kushtetutës! Jo! Sali Berisha po gënjen, luan blofin, deklaroi Braçe, pasi citoi Kushtetutën për çështjen e referendumit.
Precedenti
Referendumi i kërkuar nga Aleanca kundër Importit të Plehrave, për të kundërshtuar futjen e mbetjeve në Shqipëri, prej shumë muajsh endet mes KQZ-së dhe Gjykatës Kushtetuese. Ende këto institucione nuk kanë vendosur një datë për këtë referendum.
Majko: Asnjë deputet nuk është mbrojtur me imunitetin
Relatori socialist i draftit për heqjen e imunitetit, Pandeli Majko, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, u shpreh se pikëpamja e mazhorancës se imuniteti ka penguar luftën kundër korrupsionit nuk qëndron, nisur nga precedentët e Kuvendit të Shqipërisë. Në historinë e Parlamentit pluralist shqiptar deputetët i kanë miratuar gjithnjë kërkesat e prokurorëve për heqjen e imuniteteve dhe i kanë hapur rrugë hetimit të deputetëve të çfarëdolloj partie. Kjo e rrëzon pikëpamjen se imuniteti parlamentar pengon luftën ndaj korrupsionit, deklaroi deputeti socialist. Sipas tij, ka vetëm një imunitet që dëmton ndëshkueshmërinë dhe kjo ka të bëjë me mbrojtjen që u bëhet disa zyrtarëve. Ne socialistët i qëndrojmë opinionit se në Shqipëri duhet hequr më parë imuniteti politik. Është imuniteti politik ai që pengon dhe jo kushtetues. Ai tremb çdo gjykatës shqiptar. Drejtësia që nuk godet, korruptohet, bëri thirrje Majko.
Xhafaj: Debatet joproduktive, Kushtetuta të ndryshohet në shtator
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, theksoi dje në Kuvend se debatet maratonë për imunitetin ishin jo produktive, pasi në muajin shtator do të ishte e udhës që palët të votonin jo vetëm heqjen e imunitetit, por edhe një paketë ligjore shtesë, të përgatitur nga socialistët. Ta shikojmë këtë seancë si pjesë e vullnetit të përbashkët. Ti hapim rrugë procesit për amendamentet kushtetuese të propozuara nga ana jonë në një projekt të vetëm brenda muajit shtator. Një votim sot e një votim në shtator do të ishte si një votim sot për statusin e PD-së e një votim në shtator për statusin e PS-së, deklaroi Xhaja, duke e quajtur këtë logjikë të pakuptimtë, një humbje energjish dhe kohe. Ai deklaroi se PS-ja ishte pro heqjes së imunitetit, por kjo nismë duhet të shoqërohet me disa garanci shtesë.
Dështon konsensusi për imunitetin Berisha kërkon referendum për ti ikur situatës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip