E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të nisin procedurat për referendumin

Gazeta Shqip

Deklarata: 6 gushti do mbetet në histori si një datë të cilën kreu i PS dhe një grup miliarderësh nuk lejoi grupin parlamentar të votojë për statusin

Në mbledhjen e radhës së qeverisë kryeministri Berisha ka kërkuar nisjen e procedurave për mbajtjen e një referendumi popullor për kufizimin e imunitetit. Një ditë pas deklaratave të tij në Kuvend, ai i kërkoi këshillit legjislativ të Parlamentit të përpunojë platformën për hapat e mëtejshëm. Shefi i ekzekutivit nuk ka përcaktuar qartë se kur do të zhvillohet referendumi, pasi sipas tij kjo duhet të përcaktohet nga institucionet përkatëse.

“Të nisin plotësisht të gjitha procedurat për referendumin. Koha e zhvillimit të referendumit do përcaktohet nga institucionet përkatëse, KQZ, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera. Natyrisht ky referendum kërkon tu japë fjalën qytetarëve pasi deputetët e tyre nuk plotësuan një kërkesë më legjitimja e tyre. Do t’i kërkoj këshillit legjislativ të Parlamentit të elaborojë platformë për hapat e mëtejshëm të këtij akti madhor në të cilën qytetarët shqiptarë le të shprehen. Kanë të drejtë të shprehen. Kush të ketë frikë le të dalë mënjanë, të ikë nga politika, ka frikë nga vetja e tij”, deklaroi Berisha përpara kabinetit qeveritar.

Ndërkohë ai nuk ka harruar të akuzojë sërish kryesocialistin Edi Rama se bllokoi statusin e vendit kandidat për në BE për të tretën herë. Berisha tha se kreu i PS e bëri bllokimin e statusit për interesa të lidhura me pasuri të paligjshme.

“Zoti Rama harron se për çdo qytetar shqiptar është e qartë si drita e diellit se dje bllokimi i shembjes së murit të korrupsionit dhe statusit të vendit kandidat nuk e bën qytetarët shqiptarë, e bën kryekëput interesa të lidhura me pasuri të paligjshme, me taksa të fshehura të mamasë, dajkos apo babait, duke përdorur imunitetin, me trafiqe të paligjshme përfshi dhe trafiqet e tjera kriminale.  6 gushti do mbetet në histori si një datë të cilën kreu i PS dhe një grup miliarderësh nuk lejoi grupin parlamentar të votojë për statusin”, tha Berisha.

7 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Berisha: Të nisin procedurat për referendumin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›