Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës. PDK: Mbahet peng vullneti i popullit. LVV: Opozita do të bllokojë formimin e qeverisë “Kurti 3”

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje për dështimin për herë të 30-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Por për deputetin e Vetëvendosjes, Armend Muja qëllimi i opozitës me mosvotimin në Kuvend është të bllokojë formimin e qeverisë “Kurti 3”.
Krasniqi tha se kjo zgjatje e bllokimit të punës së Kuvendit tregon papërgjegjshmëri dhe mbajtje peng tw vullnetit të qytetarëve.
“30 tentime për të uzurpuar vullnetin e qytetarëve e për ta mbajtur peng në funksion të përmbushjes së ambicieve e imponimeve të një partie e cila për herë të parë në historinë e Kosovës nuk ka shumicë parlamentare ndërsa kërkon t’ua imponojë vullnetin të zgjedhurve të popullit. Ne si PDK e ri-shprehim qëndrimin tonë, jemi të gatshëm për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize duke mundësuar votimin e një kandidati apo një kandidateje që i merr shumicën e votave”, tha Krasniqi.
Deputeti Muja shtoi se opozita nuk e ka problemin me emrat e përvetshëm, por me formimin e qeverisë së zgjedhur nga vullneti i qytetarëve.
“Kemi hyrë në javën e pestë kur nga opozita ka shkuar kërkesa në Kushtetuese e po presim këtë aktvendim. Ajo çfarë është e rëndësishme e them me përgjegjësi të plotë se qëllimi i bllokadës është qëllim në vetvete. Mjerisht deputetët e opozitës vijnë këtu me qëllimi e vetëm të bllokojnë konstituimin e Kuvendit me qëllim që të bllokojnë formimin e qeverisë “Kurti 3”. Nuk është çështja tek një kandidat i përveçëm, çështja e thelbi i gjithë kësaj katrahure është për ta bllokuar formimin e qeverisë ‘Kurti 3’ e për ta mohuar vullnetin e qytetarëve të manifestuar me 9 shkurt”, tha Muaj.
Seanca e kësaj të mërkure (11 qershor) dështoi sërish për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku partitë politike nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen me votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit. Nga deputetët e pranishëm në sallë vetëm 52 votuan por, ndërsa pjesa tjetër nuk moti pjesë në votim. Seanca e radhë do të mbahet më 13 qershor në ora 11:00.
/rtsh.al/