Dështon puçi antizgjedhje me paramilitarët, ish-policët kuptojnë kurthin e Edi Ramës
Mbledhja e ish-kryepolicëve në selinë e PS-së është shndërruar në një protestë të heshtur të tyre ndaj kurtheve të vazhdueshme që ngre kryetari i PS-së. Shumë ish-kryepolicë kanë deklaruar se s’mund të përfshihen në veprime antikushtetuese që do t’i çonte përballë organeve të drejtësisë, ndërkohë që Edvini nuk është i gatshëm të ofrojë kurrfarë mbrojtjeje politike, përveç shitjes së tyre, për efekte elektorale.
TIRANE - Shthuret struktura paramilitare e PS-ës, e cila u krijua vetëm një javë më parë, nën prezencën edhe të kreut të PS-ës Edi Rama, në selinë e kësaj partie. Pas promovimit të strukturës së PS-së “për mbrojtjen e votës”, të ish-oficerëve të policisë që tashmë janë në lirim, një pjesë e emrave që morën pjesë në takimin “themelues” të një jave më parë, janë larguar. Shkak për këtë largim të shpejtë të tyre ka qenë frika se mos sërish Edvin Rama, kreu i kësaj strukture, përkundër “besës” që ju kishte kërkuar “në rast se do të fitojnë zgjedhjet”, bënte sërish “të pabesin” sikurse ai e kishte bërë për aq kohë sa është në politikë. Shqetësimin e tyre, ish-oficerë të policisë e kanë shprehur mes debateve në prezencë të disa ish-titullarëve të lartë të policisë, ku spikaste Pjerin Ndreu, gjatë mbledhjes së tyre para një jave në ambientet e selisë së PS-së. Duket deklarimet e kryera, nuk i kanë bindur një pjesë të ish-oficerëve të policisë, të cilët, menjëherë pas takimit kanë zgjedhur të largohen nga kjo strukturë paramilitare, e cila mund të kryejë çfarëdolloj detyre, por jo mbrojtjen e votës me struktura paralele.
Debati
Burime nga mbledhja e një jave më parë në selinë e PS-së, e ish-oficerëve të policisë, që tashmë kanë braktisur strukturën e PS-së “për mbrojtjen e votës”, kanë zbardhur debatet që janë bërë mes ish-uniformave blu.
Zanafilla e këtij debati, ka qenë ndërhyrja e Pjerin Ndreut, izh-Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por edhe si ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, i komanduar, i cili u ka kërkuar “besën”, ish-kolegevë, ish-vartës të tij. “T’i japim fjalën njëri-tjetrit, që në rast se fitojmë zgjedhjet, të mos ia fusim njëri-tjetrit”, ka qenë “apeli” irritues i Pjerin Ndreut.
Menjëherë pas këtij deklarimi ka reaguar Gëzim Goxhi, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Dibrës, i shkarkuar nga kjo detyrë me urdhër të Pjerin Ndreut, kur ky mbante postin e komanduar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Pasi Goxhi, i ka kujtuar Ndreut shkarkimin e tij në shtator të vititi 2002, jo pa ironi, idenë e ish-eprorit të tij për “t’i dhënë ‘besën’ për të mos ia futur njëri-tjetrit”, e ka çuar edhe më tej, kur ka kërkuar që këtë “besëdhënie” ta sanksiononin edhe në statusin e PS-së. “Duhet ta shënojmë në statusin e PS-ës, ‘Me rob shtëpie ai që ia fut njëri-tjetrit, në rast se fitojmë zgjedhjet’”, është shprehur me cinizëm dhe tallje Goxhi.
Pas kësaj, edhe “viktima” të tjera të keqpërdorimit politik të PS-së kanë kujtuar sjelljen joetike që po mban prej kohësh lidershipi i PS-së.
Takimi
Takimi i ish-oficerëve të policisë, “themelues” të strukturës paramilitare të PS-së, “për mbrojtjen e votës”, u zhvillua në selinë e kësaj partie një javë më parë, me prezencën edhe të kreut të PS-ës, Edi Rama.
Takimi, mësohet se kishte si qëllim angazhimin e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit në ruajtjen e votës. Në realizimin e këtij qëllimi, nisur edhe nga përvoja që kanë në detyrat që kanë kryer, është kërkuar një organizim i detajuar i tyre për të pasur nën mbikëqyrje të gjitha qendrat e votimit. Mësohet se ish-oficerët e policisë do të drejtojnë të gjithë procesin e ruajtjes së votave në të gjitha qarqet e vendit.
Në këtë takim me Edi Ramën, mësohet se kanë qenë Pjerin Ndreu, ish-Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, si edhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë si i komanduar, Arben Çuka ish-Komandanti i Gardës së Republikës dhe ish-drejtues të tjerë si Xhevahir Karaj, Artan Didi, Gëzim Goxhi etj.
Burime nga takimi i një jave më parë, bënë të ditur se, kryetari i PS-së Edi Rama i ka cilësuar largimet e tyre nga puna krejtësisht politike, duke akuzuar qeverinë aktuale se nuk ka pasur asnjëherë si qëllim forcimin e shtetit të së drejtës. Jo vetëm kaq, por mësohet se Rama ju ka premtuar një rishikim pas 28 qershorit të të gjitha procedurave të largimit të tyre.
Kjo deklaratë e Ramës, ka nxitur më pas Pjerin Ndreun, kreun e këtij “operacioni” që të hedhë në tryezën e këtij takimi, “alternativën”, në rast të fitimit të mundshëm të zgjedhjeve “e të mosfuturit njëri-tjetrit”.