“Mandatin e dytë, investimet do të njohin rritje edhe më të madhe”
“Shqipëria po ndryshon”, turi i Kryeministrit Sali Berisha vazhdon në rrethin e Fierit
Kryeministri Sali Berisha zotohet se mandatin e ardhshëm në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë. Kreu i qeverisë u premton të gjithë shqiptarëve, rritjen reale të pagave dhe pensioneve që me 1 maj, duke synuar kështu uljen e varfërisë
TIRANE - Investimet për zhvillimin e qëndrueshëm të fshatrave të Shqipërisë në infrastrukturë, vaditje, kullim, mbrojtje nga përmbytjet, për nxitjen e frutikulturës, ullinjve, bletarisë, agrobiznesit, do të njohin një rritje shumë herë më të madhe se sa në këtë mandat, ishte ky zotimi i kryeministrit Sali Berisha përpara disa qindra banorëve të komunave Strumë dhe Kuman, në kuadër të turit të sotëm “Shqipëria po ndryshon” në rrethin e Fierit.
Në komunën Strumë u përurua fillimi i punimeve për një rrugë 24 kilometra të gjatë, që qarkon fushën dhe lidh disa komuna me qytetin e Fierit, me vlerë 400 milion lekë dhe një rrugë tjetër, që do të lidhë komunën me fshatin Kuz. Por, siç cilësoi kryeministri Berisha, qeveria këto 3 vjet e 8 muaj ka investuar në Strum rreth 300 milionë lekë kundrejt vetëm 8 milionë lekë që u investuan në këtë komunë, në ujësjellësin e Sukës në 8 vitet e shkuara.
Në komunën Kuman, ku u përurua një shkollë 9 vjeçare dhe një rrugë, në 8 vitet e qeverisjes së majtë, sipas kryeministrit, u investuan gjithsej 45 milionë lekë në ujësjellësin, ndërsa në 3 vjet e 8 muaj u investuan 267.5 milion lekë.
Duke folur për investimet në zonat rurale në rang vendi kryeministri Berisha informoi se në më pak se 4 vite qeveria ka investuar në zonat rurale të vendit 1.6 miliardë dollarë.
Qeveria e ka kthyer shtetin drejt qytetarëve, tha kryeministri, i cili për të argumentuar këtë fakt, përmendi rritjen e pensioneve në 4 vite, më shumë se në 17 vite të marra së bashku.
“Ne gjetëm një pension në fshat 34 mijë lekë dhe ky pension do të dyfishohet më 1 maj të këtij viti. Ne ju premtuam se do të dyfishonim pensionet tuaja dhe po e bëjmë këtë realitet”, tha ai, duke premtuar se mandatin e ardhshëm në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë.
Ndër projektet që do të zhvillojnë zonat rurale, kryeministri veçoi dhe atë të ullirit, projekti më i madh në historinë kombëtare, që do të shtrihet nga Konispoli deri në Han të Hotit.
“Në 4 vitet që vijnë do të investojmë për bujqësinë shqiptare më shumë se në 70 vitet që shkuan”, premtoi ai, duke shtuar se në 4 vitet që vijnë do të 5-fishojmë rrënjët e ullirit në Shqipëri.
Ndër të tjera, kryeministri Berisha garantoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, mjetet financiare dhe të tjera që as dhe një qytetar të mos jetojë mjerimin. Ai informoi se javën që vjen qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë. Por nga ana tjetër ai kërkoi përkushtimin e kryetarëve të komunave të mbarë Shqipërisë, të Këshillave, kryepleqve, të prefektëve dhe qarqeve të vendit për të realizuar qëllimin që asnjë shqiptar të mos përjetojë më mjerimin, por të ndjejë ndihmën dhe solidaritetin e shoqërisë dhe të shtetit.
Anëtarësimi në NATO, u shpreh kreu i qeverisë, shumëfishon energjinë, shumëfishon besimin e madh të mbarë botës tek Shqipëria dhe shqiptarët. Por, vijoi ai, premtimi im është se, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, do të realizojmë heqjen e vizave, që qytetarët shqiptarë të lëvizin si qytetarë të lirë në mbarë Evropën.
Kryeministri përsërit apelin ndaj qytetarëve
“Marrja e kartave të reja të identitetit dhe e pasaportave biometrike, jo vetëm detyrim, por edhe akt krenarie”
TIRANE _ Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha përsëriti si domosdoshmëri pajisjen e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet e reja elektronike. Kreu i qeverisë nënvizoi se pa plotësimin e këtij kushti, askush nga vendet e Evropës nuk voton për heqjen e vizave me Shqipërinë.
“Me marrjen e letërnjoftimeve të reja ne barazojmë veten me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë e vendeve të tjera”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se “qeveria do të përmbushë detyrimet e veta, qytetarët të përmbushin detyrimet e tyre dhe ajo që kërkoj nga ju është pajisja me letërnjoftimet e reja si dhe me pasaporta biometrike, sepse pa këtë pajisje të tjerët nuk do të pranojnë të heqin vizat me ne. Ndaj ne duhet të pajisemi me to edhe si një akt krenarie që t’i themi çdo qytetari kudo në Evropë edhe në shqiptarët kemi dokumentet e identitetit më të mirat që prodhohen sot”, theksoi Berisha.