E Diel, 1 Nëntor 2026

Deshton qeveria, BE-ja skualifikon Shqipërinë për heqjen e vizave

Ministrat e Jashtëm të BE-së i kërkojnë Komisionit të heqë vizat për vendet që realizuan reformat. Vetëm Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi përfitojnë nga regjimi i lirë deri në fund të vitit 2009

Albert Gjoka

Qeveria “Berisha” ka dështuar në realizimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve pasi Brukseli zyrtar i ka vlerësuar dje me notë negative reformat e ndërmarra deri tani. Në ndryshim nga fqinja jonë, Maqedonia, që në fillim të 2010-s shtetasit e saj do të lëvizin lirshëm në zonën “Shengen”, për shqiptarët do të duhet kohë që të kenë të njëjtin fat. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së zyrtarisht i ka kërkuar Komisionit Europian që të nisë procedurat dhe të paraqesë kërkesën te shtetet anëtare për vendet që kanë realizuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave. Ky fakt është bërë i ditur në takimin e zhvilluar dje në Luksemburg nga shefat e diplomacive të 27 shteteve. Dhënia e dritës jeshile për vendet që kanë realizuar standardet vjen fill pas takimit të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së BE-së, që u zhvillua më 4 qershor të këtij viti. Pak më parë Komisioni Europian përgatiti raportet e vlerësimit për pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ishin në listën e vendeve që kanë realizuar pjesërisht kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave.
Vendimi
“Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së inkurajon Komisionin Europian që të paraqesë sa më shpejt të jetë e mundur një propozim ligjor shtesë në Rregulloren 539/2001/ si dhe ai të aplikojë te shtetet anëtare për të arritur një regjim të lirë vizash, mundësisht deri në fund të vitit 2009, me ato vende që kanë realizuar të gjitha kushtet e përcaktuara në udhërrëfyes”, - thuhet në njoftimin e djeshëm të Zyrës për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë. “Duke pranuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Këshilli nënvizon rëndësinë se të gjitha shtetet do të arrijnë një regjim të lirë vizash sipas meritave të tyre. “Prandaj Këshilli mirëpret progresin e arritur deri tani dhe kërkon nga vendet e rajonit që të nxisin përshpejtimin dhe zbatimin e reformave sa më shpejt të jetë e mundur në zbatim të plotë me kushtet e vendosura”, - thotë deklarata zyrtare pas përfundimit të takimit të krerëve të diplomacive të vendeve anëtare. Në këtë dokument “Këshilli ripërsërit mbështetjen për dialogun për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë, bazuar në udhërrëfyesin, duke iu përmbajtur kushteve të qarta dhe realiste dhe vlerësimit vend pas vendi”. Ky institucion “sjell në mendje që vendet duhet të vazhdojnë të përqendrohen në zbatimin e plotë të këtyre kushteve”. Në këtë drejtim Këshilli (i Ministrave të Jashtëm të BE-së) mirëpret raportet e vlerësimit, të paraqitura nga Komisioni Europian për progresin në dialogun e liberalizimit të vizave me këto vende. Raportet reflektojnë progresin e qartë që është bërë nga këto vende në përmbushjen e standardeve që kërkon udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave.
Raporti i vlerësimit
Më 18 maj ekspertët e Komisionit Europian përfunduan misionin e ekspertizës në vendet e rajonit, ku përgatitën edhe vlerësimin për realizimin e reformave që kërkonte udhërrëfyesi për regjimin e vizave. Vendi ynë u klasifikua te shtetet që nuk kanë arritur plotësisht standardet. Menaxhimi i kufijve dhe emigrimi, siguria dhe rendi publik dhe dokumentet e identifikimit ishin ndër fushat ku qeveria nuk mori notën e duhur nga ekspertët e Brukselit. Ndërsa marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat e njeriut u vlerësuan sipas standardeve të kërkuara. Shqipëria u listua bashkë me Bosnjë-Hercegovinën në të njëjtin grup si vende që kanë realizuar pjesërisht standardet; ndërsa Mali i Zi dhe Serbia në grupin që kanë realizuar shumicën e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyes. I vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që u vlerësua pozitivisht është Maqedonia, shtetasit e së cilës në fillim të vitit 2010 do të udhëtojnë lirisht drejt zonës “Shengen”.

Ministrat e Jashtëm të BE-së mbështesin bashkëpunimin rajonal

Shefat e diplomacive të Bashkimit Europian kanë shprehur edhe një herë tjetër mbështetje për bashkëpunimin rajonal, i cili do të japë “kontribut në konsolidimin e stabilitetit dhe nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” në Ballkanin Perëndimor. Përmes një deklarate të miratuar dje në Luksemburg, “Këshilli mirëpriti fillimin e suksesshëm të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC) dhe synimet e tij për të bërë një platformë sa më efektive për bashkëpunimin e të gjithë partnerëve rajonalë”.
Ministrat e Jashtëm i kanë dhënë mbështetje edhe SEECP-it (Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore). “Këshilli inkurajon vendet në rajon për t’i dhënë nxitje të mëtejshme bashkëpunimit dhe për t’u përqendruar në objektivat dhe aktivitetet me rezultate të orientuara, duke përfshirë synimet e nismave të ndryshme në linjë me prioritetet e pranuara dhe parimet e bashkëpunimit rajonal”, - thuhet në këtë deklaratë. Ai riafirmon rolin kyç të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në këtë përpjekje. Po ashtu, Këshilli inkurajon fuqimisht të gjitha palët në rajon që të përvetësojnë një qëndrim pragmatik dhe konstruktiv për të nxitur një bashkëpunim rajonal të një natyre gjithëpërfshirëse”. Sipas tij, “bashkëpunimi rajonal mbetet i rëndësishëm për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”.

ESI propozon Shqipërinë në Listën e Bardhë, standardet heqin vizat

Shqipëria duhet të përfshihet simbolikisht në Listën e Bardhë për ta inkurajuar në realizimin e reformave, por vizat do të hiqen vetëm pasi të plotësojë kushtet. Ky është mendimi i shprehur nga drejtuesi i Nismës Europiane për Stabilitet, Gerald Kanus, i cili ka publikuar dje një artikull në “Euobserver”, pikërisht në ditën që krerët e diplomacive të 27 vendeve po diskutonin për liberalizimin e vizave. Sipas Knaus, liberalizimi i procesit do të bëhet vetëm pas një vlerësimi të dytë për reformat në Shqipëri, i parashikuar për t’u realizuar në vitin 2010.
Drejtuesi i ESI-t thotë se takimi i 15-16 qershorit në Luksemburg duhet të dërgojë një sinjal të qartë se procesi i liberalizimit të vizave është një prioritet jo vetëm për rajonin, por edhe për BE-në. Sipas tij, “një sinjal i fortë është i rëndësishëm për vende të tilla si Maqedonia, ku mbështetja e BE-së ka qenë shumë e ngrohtë, dhe për vende të tilla si Serbia, ku qeveria properëndimore është nën presionin për të realizuar premtimet e dhëna për integrimin europian”. Kanus përmend edhe Kosovën, e cila nuk është përfshirë në këtë proces dhe kërkon nga shefat e diplomacisë së BE-së që të reflektojnë në këtë drejtim.

Liberalizimi i vizave në qendër të fushatës së zgjedhjeve

Heqja e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së është një nga premtimet kryesore të partive politike shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare. Të dyja forcat kryesore politike kanë premtuar si afat vitin 2010, i cili do të përfundojë me përmbylljen e procesit. Ndërkaq, maxhoranca qeverisëse i ka konsideruar të suksesshme reformat e saj në këtë drejtim dhe ka pritur vlerësime pozitive nga Brukseli. Madje, ministri i Jashtëm, zoti Lulzim Basha, përkundër fakteve, e lexoi si shumë pozitiv raportin e vlerësimit të Komisionit Europian. Ai dhe zoti Berisha kanë qenë optimist në heqjen e vizave për shqiptarët, por faktet tregojnë se do të duhet kohë që të presin shqiptarët për të udhëtuar lirisht në Europë.
Pak javë më parë ishte në Tiranë komisioneri për Çështjet e Brendshme e të Sigurisë, zoti Zhak Barrot, i cili vlerësoi disa nga reformat e ndërmarra ndërsa kritikoi sidomos reformat në sistemin e drejtësisë. Pak më vonë u zhvillua në Bruksel takimi i parë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, ku u theksua se lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i shtetit ligjor mbeten akoma sfida kryesore për qeverinë dhe maxhorancën qeverisëse. Së fundi, duket se përcaktuese për heqjen e vizave për shqiptarët do të jenë zgjedhjet e 28 qershorit. Nëse ato do të arrijnë standardet e përcaktuara nga OSBE/ODIHR-i, do të ketë shanse që procesi të hyjë në rrugë të mbarë në mesin e vitit 2010.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›