Dështon seanca për konstituimin e Kuvendit, Çitaku: LVV të reflektojë. Kryeziu-Hyseni: Bllokada, qëllim i opozitës

Ka dështuar për të 25-tën herë përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, janë mbledhur këtë të hënë sërish për të vijuar përpjekjet për konstituimin e legjislaturës së re, por pa sukses, pasi partitë politike PDK, LDK, Lista Serbe, AAK- Nisma nuk propozuan emër deputeti për të qenë anëtarë komisioni për votim të fshehtë.
Nga deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 prej tyre kanë votuar pro, 1 kundër dhe mungesa e kuorumit solli mbylljen e seancës dhe vijimin e saj për në datë 4 qershor në orën 11:00.
Në një prononcim për medie, deputetja e PDK-së Vlora Çitaku ka bërë thirrje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për deflektim, ndërsa shtoi se prej bllokadës së krijuar në Kuvend, pasojat mund të ndikojnë në ekonomi.
“Edhe njëherë bëjmë ftesë për reflektim. Kosova është më e madhe se sa secili prej nesh veç e veç. Ekonomia kosovare po dëmtohet e po rrezikohet, 140 mijë punëtorë po rrezikohen, familjet tona po rrezikohen e ndërkohë Kuvendi e institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbesin të bllokuara për shkak të grupit të parë parlamenta”, tha Çitaku.
Nga ana e saj, deputetja e LVV, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka akuzuar opozitën për bllokadën e krijuar.
Ajo theksoi se LVV është në pritje të një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese pas kërkesës së depozituar për interpretim të çështjes së procedurës së votimit të fshehtë.
“Janë bërë tri javë që një grup deputetësh kanë dërguar në Kushtetuese një kërkesë për interpretim të çështjes së procedurës së votimit të fshehtë, dhe ne mbesim ende sot pa një përgjigje prej Gjykatës Kushtetuese për atë se si duhet të vazhdojnë deputetët e Kuvendit të Kosovë dhe po ashtu jemi në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata për një kërkesë që ka dërguar LVV-ja për votimin e mërgatës në zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha ajo.
/rtsh.al/