E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gratë, siguria dhe paqja – Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i adresohet forumit në Prishtinë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po merr pjesë në punimet e edicionit të 3-të të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që përgjatë dy ditëve në Kosovë ka sjellë në tryezën e diskutimeve çështje të ndjeshme në një kohë të trazuar për shumë vende të botës.

“Shqipëria vazhdon të forcojë zbatimin në nivel kombëtar të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria, edhe përmes Planit Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili tashmë është në fazën e tij të dytë. Ne po investojmë në arsim, në mundësi ekonomike, në trajnim liderësh, sepse siguria nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë. Ajo ka të bëjë me dinjitetin, mundësinë dhe drejtësinë në çdo shtëpi dhe në çdo fshat.

Fokusi ynë i veçantë përfshin forcimin e pjesëmarrjes së grave në institucionet e sigurisë dhe diplomaci, shtrirjen e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës gjinore, promovimin e edukimit të paqes dhe zhvillimit të lidershipit për gratë dhe vajzat e reja, përputhjen e politikës së brendshme me angazhimet tona ndërkombëtare sipas rezolutës 1325. Kuvendi i Shqipërisë, edhe gjatë mandatit të tij modest, ka luajtur një rol thelbësor në këtë rrugëtim,” deklaroi znj. Spiropali.

Presidentja e Kosovës, si organizatore e drejtpërdrejtë e këtij forumi ndërkombëtar, tha se ende ka shumë mekanizma që duhen përdorur për çështjet e grave, dhe natyrisht për paqen dhe sigurinë.

Më shumë se 150 personalitete nga 45 vende të botës do të jenë pjesë e 30 paneleve të diskutimit, në këtë format të zgjeruar, ku në fokus mbetet gruaja, roli i saj, por edhe çështje të sigurisë dhe paqes.

Kryetarja e Kuvendit kujtoi se Shqipëria gjatë presidencës në OKB ishte nxitëse e rezolutës 1325 në Këshillin e Sigurimit, duke avokuar integrimin e zërit të grave në parandalimin e konflikteve.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›