E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanitë finlandeze, Berisha i fton të investojnë në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti në takim, një delegacion finlandez, në përbërje të të cilit ishin politikanë dhe përfaqësues të biznesit, të kryesuar nga senatori Markus Aaltonen, njëherësh edhe themelues i grupit parlamentar të miqësisë mes dy vendeve dhe i Shoqatës “Miqtë e Shqipërisë në Finlandë”.
 

Zoti Aaltonen i bëri me dije Kryeministrit se qëllimi i vizitës së tyre ishte për të parë e njohur nga afër arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Udhëtime të tilla, tha zoti Aaltonen, ndërmerren në grupe, për të bërë të njohur në Finlandë, vend anëtar i Bashkimit Europian, vendet e tjera të Europës, anëtare të reja ose që aspirojnë për të hyrë në BE. Zoti Aaltonen shprehu kënaqësinë e kësaj vizite miqësore, duke nënvizuar se ishte një udhëtim i këndshëm dhe i frytshëm, për t`u njohur me Shqipërinë.
 

“Na ra menjëherë në sy potenciali i mrekullueshëm turistik i Shqipërisë. Nga dy vizitat në këtë vend, e para në vitin `83 dhe e dyta në vitin `90, e gjeta Shqipërinë një vend tërësisht të zhvilluar në mënyrë impresionuese. Arritjet dhe zhvillimet janë vërtet të shënuara dhe përshtypjet tona do t`i transmetohen finlandezëve në forma të ndryshme si media etj.”, tha zoti Aaltonen.
 

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, i falenderoi për ndërmarrjen e kësaj vizite dhe mundësinë që krijohet për njohjen dhe prezantimin e Shqipërisë në Finlandë. Duke ju bërë një ekspoze të përgjithshme mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, Kryeministri e nisi ekspozenë me krahasimin e Shqipërisë komuniste të vitit `83, kur ishte vendi i tretë më i varfër në botë dhe kur të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë në vit, me Shqipërinë e sotme, e cila po ecën me shpejtësi drejt objektivit për t`u bërë një vend i zhvilluar, që me të ardhurat e saj ka hyrë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta. Shqipëria ka gjithashtu, arritje të dukshme e të prekshme përsa i takon ekonomisë.
 

Është ndër vendet e vetme në Europë që nuk pati recesion, por ka rritje ekonomike edhe në këtë kohë krize europiane e botërore. Shqipëria në vitin 2011, sipas UNCTAD, ka tërhequr mbi 1 miliardë dollarë investime të huaja dhe renditet ndër 10 vendet e para në botë për klimën e biznesit, në mbrojtjen e investitorëve, regjistrimin e biznesit, qeverinë më të vogël etj.. Ekonomia, - tha më tej Kryeministri - vazhdon të ketë tregues pozitivë.
 

Në këtë moment shitjet e vitit 2012 janë rritur mbi 25 përqind, krahasuar me vitin 2011 dhe ekuilibrat makroekonomikë, si dhe borxhi publik janë në nivelet e parashikuara dhe nën kujdes të vazhdueshëm. Kryeministri nënvizoi se investime të mëdha publike dhe private janë bërë edhe në infrastrukturë. Në këto 7 vitet e fundit janë shtruar rreth 10 mijë kilometra rrugë kombëtare dhe lokale. Synimi ynë, tha Kryeministri, është shkurtimi me mbi 70 përqind i distancave nga çdo skaj i vendit me Tiranën.
 

Më tej, Kryeministri Berisha prezantoi potencialet investuese në fushën e turizmit, detar dhe malor, në sektorin e energjisë dhe të minierave, sektorë që po zhvillohen me ritme shumë të shpejta në këto vitet e fundit. Energjia e rinovueshme, zhvillimi i gjelbër dhe i qëndrueshëm janë shtylla kryesore të qeverisjes, tha Kryeministri. Kryeministri Berisha prezantoi edhe zhvillimet e fundit politike, përpjekjet për të realizuar reformat ë domosdoshme për marrjen e statusit kandidat dhe për thellimin e demokracisë në Shqipëri.
 

Kryeministri e mbylli prezantimin, duke i ftuar ata të nxisnin investitorët finlandezë të shtrijnë projektet e tyre edhe në Shqipëri, ndersa garantoi se qeveria do të ishte mbështetëse e fortë e iniciativave sipërmarrëse të tyre, për t`i kthyer ato në histori suksesi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›