Destinacioni i fundjavës, pazari karakteristik i Gjirokastrës ndër më të preferuarit

Pazari karakteristik i Gjirokastrës është një nga zonat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.
Në fundjavë, pazari shndërrohet në një destinacion të preferuar për turistët, të cilët vijnë për të shijuar arkitekturën unike të tij, rrugicat me kalldrëm, dyqanet me punime artizanale dhe gatimet tradicionale, që ofrojnë restorantet në këtë zonë të qytetit.
Të gjitha këto krijojnë një përjetim të veçantë, që çdo vizitor e merr me vete si kujtim nga Gjirokastra.
“Nuk është thjesht shëtitje, është një përjetim. E shijuam shumë edhe njohjen me vendasit miqësorë, gatimet tradicionale gjithashtu janë të mrekullueshme. Provuam byrekun dhe qifqitë.”
“Pazari i Gjirokastrës është si një udhëtim në kohë. Është i mrekullueshëm dhe plot histori.Na pëlqen shumë sa origjinale duket gjithçka këtu. Shtëpitë e vjetra, rrugicat me gurë ,është çdo gjë magjike.”
“Pazari është një miksim i bukur i kulturës dhe arkitekturës. Po e shijojmë shumë këtë vizitë. Na mahniti mënyra si ruhet tradita këtu. Është kënaqësi të shëtisësh dhe të zbulosh artizanatin vendas. Unë e kam vizituar pazarin edhe 15 vite më parë dhe po shoh shumë ndryshime në të.”
Pazari i Gjirokastrës është një destinacion i preferuar për turistët, sidomos gjatë pranverës, kur qyteti është më i gjallë dhe ofron një atmosferë të veçantë.
Në këtë stinë, Gjirokastra vazhdon të tërheqë një numër në rritje turistësh, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/