Detaje nga atentati me 3 të plagosur në Elbasan. Autori, i maskuar me paruke, qëlloi 7 herë dhe hodhi armën gjatë arratisjes. Mes të lënduarve edhe kamarieri 19-vjeçar

Tre persona mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari”, ose e njohur ndryshe si “Banesa”, në qytetin e Elbasanit.
Sipas të dhënave, autori, ende i paidentifikuar, i veshur me xhup dhe i dyshuar se ishte maskuar me paruke, është afruar pranë lokalit dhe ka hapur zjarr rreth shtatë herë me pistoletë. Si pasojë u plagosën Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç, si dhe kamarieri i lokalit, Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, i cili u godit aksidentalisht nga plumbat. Të tre ndodhen në spital dhe, sipas policisë, janë jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është plagosur në shpatull, ndërsa një tjetër në këmbë.
Në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili ishte së bashku me dy fëmijët e tij. Menjëherë pasi dëgjoi të shtënat, ai doli dhe u vu në ndjekje të autorit, edhe pse nuk kishte me vete armën e shërbimit. Gjatë arratisjes, autori hodhi pistoletën në tokë dhe u largua në thellësi të lagjes.
Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet intensive për kapjen e autorit. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri tani, në vendin e atentatit janë gjetur gjashtë gëzhoja, ndërsa hetimet vijojnë.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/