E Diel, 1 Nëntor 2026

Masat për sigurinë e sezonit turistik, Hita dhe Beja inspektim në Rinas: Ulet nga 16 në 12 vjeç mosha e fëmijëve, që kalojnë përmes e-Gate

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, inspektuan masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik në aeroportin e Rinasit.

Gjatë inspektimit, Hita tha se në ditë në Rinas përpunohen 50 000 deri në 56 000 pasagjerë duke garantuar lëvizjen e shpejtë të qytetarëve dhe turistëve, si dhe standarde të larta sigurie.

Gjithashtu, Hita njoftoi se është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes.

“Paralelisht, është përmirësuar dhe përditësuar sistemi TIMS, ndërsa janë riparuar ose zëvendësuar me pajisje të reja kompjuterët, lexuesit e dokumenteve dhe pajisje të tjera të kontrollit kufitar, çka ka rritur më tej shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit.  Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit”, tha Hita.

Krahas menaxhimit të fluksit, vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, me fokus luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

“Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për të garantuar përpunim të shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve, ndërsa paralelisht vijojnë kontrollet e bazuara në analizën e riskut për goditjen e çdo aktiviteti kriminal. Bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm, duke garantuar një nivel të lartë sigurie në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas”, tha Hita.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit, duke theksuar se të dyja institucionet janë në shërbim 24 orë në 24 për t’iu përgjigjur fluksit të shtuar të sezonit turistik.

“Administrata doganore është angazhuar për të garantuar lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve, pa cenuar kontrollet e nevojshme për çdo mall që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, si në sektorin e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të kargos”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›