Detaje nga atentati në Sarandë, gazetari: Autori hyri i armatosur dhe hapi zjarr ndaj biznesmenit, dyshohet dhe për 1 të plagosur

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi Sarandën ditën e djeshme (7 maj), ku u qëllua me plumb në kokë dhe mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili. Gazetari Vangjel Shumeli ka bërë me dije për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” se viktima dyshohet të jetë ekzekutuar pas një konflikti për motive pronësie, ndërsa autori i dyshuar është identifikuar si Lulzim Tabaku.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në zonën e Qafë Gjashtës, në ambientet e lokalit dhe karburantit në pronësi të 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, i njohur në zonë si biznesmen dhe aktivist i shoqatës atdhetare-kulturore “Çamëria” për degën e Sarandës.
Gazetari Shumeli raportoi se konflikti fillimisht ka nisur me sende të forta mes disa personave dhe më pas është përshkallëzuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Gjatë të shtënave, Ismaili është qëlluar me plumb në kokë, duke humbur jetën në vend.
“Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Sarandës, ku mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30 në vendin e quajtur Qafë Gjashtë, në lokalin në pronësi të shtetasit Rexhep Ismaili, i cili ishte biznesmen dhe sipërmarrës i njohur për zonën, si edhe aktivist duke qenë kryetar i shoqatës atdhetare-kulturore ‘Çamëria’ për degën e Sarandës, ndodhi konflikti fatal”, deklaroi gazetari.
Ai shtoi se burime nga hetimi bëjnë me dije se autori i dyshuar ka mbërritur i armatosur në ambientet e biznesit të viktimës dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij, ndërsa 66-vjeçari ndodhej i ulur në tavolinë me persona të tjerë. Pas të shtënave, personat që ndodheshin në lokal kanë reaguar duke marrë një armë automatike dhe duke qëlluar me breshëri drejt autorit, i cili megjithatë ka arritur të largohet nga vendngjarja.
“Konflikti ka nisur fillimisht me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëvetë zjarrit”, shtoi gazetari.
Dyshohet gjithashtu se gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar dhe nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore.
“Dyshohet se ëhstë plagosur dhe një person tjetëtr dhe nuk është identifikuar edne pasi nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore. Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendarje dyshohet se shtetasi Lulzim Tabaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Rexhep Ismaili dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur”, tha gazetari.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po kreh zonën për kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë në konflikt. Njëkohësisht po ushtrohen kontrolle në spitale dhe klinika private për identifikimin e të plagosurit të dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e një konflikti të mëparshëm.
/rtsh.al/