E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrethohet tregu i fruta-perimeve në Vlorë, nis zbatimi i projektit 115 milionë lekësh mes kundërshtimeve të tregtarëve

Ka nisur zbatimi i projektit për rikonstruksionin e tregut të fruta-perimeve në Vlorë, një investim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 115 milionë lekë. Paraditen e sotme, ambientet e tregut janë rrethuar për t’i hapur rrugë nisjes së punimeve nga firma zbatuese.

Megjithatë, procesi është shoqëruar me tensione dhe kundërshtime nga tregtarët, të cilët refuzojnë zhvendosjen në hapësirat e përcaktuara nga Bashkia e Vlorës. Ata shprehen se vendet alternative janë larg qytetit dhe jo të përshtatshme për ushtrimin e aktivitetit të tyre tregtar.

Që prej muajit janar, tregtarët kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar që bashkia të gjejë një hapësirë brenda qytetit për sistemimin e tyre të përkohshëm gjatë kohës së investimit.

Sipas vendimit të Bashkisë së Vlorës, një pjesë e tregtarëve do të zhvendosen pranë tregut të Çoles, ndërsa pjesa tjetër pranë tregut të shumicës. Një zgjidhje që është kundërshtuar vazhdimisht nga vetë tregtarët.

Gjatë ditës së sotme, forcat e Policisë Bashkiake kanë ndaluar hyrjen e tregtarëve në ambientet e tregut, pasi sipas bashkisë hapësira do t’i dorëzohet kompanisë që do të zbatojë projektin.

  • Projekti për rikonstruksionin e tregut

    /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›