E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detyrimet e tjera për gjakun e komandove

Preç Zogaj

Kishte  marrë  formën e një  bestytnie mendimi se shqiptarët nuk vriten në  misionet paqeruajtëse  të NATO-s.  Jo se janë më të zotë se kolegët e tyre  amerikanë, francezë apo  italianë, që i ka marrë me shpesh plumbi i armikut. Por ndoshta kanë patur me shumë fat se të tjerët, ndoshta u ka qëlluar të përfshihen më tepër në misione ndihmëse se sa në vijën e parë, ndoshta  ngaqë janë  më pak në numër se trupat e vendeve të mëdha, pra edhe sipërfaqja  e rrezikut  me të cilin përballen  është më e vogël.

Ndërkaq, legjendat urbane për këtë çeshtje  i kanë mëshuar  idesë se  shqiptarët nuk kanë qenë në shenjestër të  terroristëve  islamikë dhe  janë kursyer prej tyre ngaqë  i përkasin në shumicë fesë islame. Është shumë e vështirë të  provohet a është solidariteti  fetar apo  janë  arsyet e tjera  rastësore dhe jorastësore  ato që kanë përcaktuar mungesën e  deridjeshme të viktimave në radhët e trupave tona paqeruajtëse  në Afganistan dhe Irak.  Kjo e fesë është një arsye efemere, e pakapshme, që bëhet dyfish e tillë  në teatrin e ngjarjeve ku shqiptarët zakonisht janë të inkuadruar nën komandën e një vendi  të madh dhe ku  vetë misionet kanë targën e NATO-s. Dhe po të mbajmë parasysh faktin se talebanët dhe terroristët islamikë të Al Kaedas kanë qenë gjithnjë më mizorë me myslimanët e shitur se sa me vetë  perëndimorët,  vetvetiu fiton terren teza tjetër, e paprovueshme gjithashtu, se jo feja por flamuri i NATO-s ka qenë panciri kryesor i këtyre djemve shqiptarë, trashgimtarë historikë të një fati të vjetër nizamësh prej nga  kanë ardhur e janë ruajtur  në thesaret e folklorit  këngë të tilla  renqethëse  si Mbeçë more shokë mbeçë, të cilën  qëkurse ka vdekur  i paharruari  Demir Zyko duket sikur e këndojnë  me gjemë malet e Skraparit  dhe pastaj gjithë vargmalet që nisen prej andej drejt Veriut dhe Jugut të vendit.

Mbesin gjithandej  shqiptarët përtej urave të botës në ravgimin   e tyre për mbijetësë  apo një  jetë më të mirë. Erdhi dita që  një prej tyre, Feti Vogli,  të binte në Afganistan për paqen dhe lirinë atje. Një i dytë, Aleksandër Peçi është plagosur në të njëjtin mision. Legjenda urbane  e mosvrasjes së komandove tona u shemb. Kjo nuk do të thotë se nevoja e maskuar si betytni nuk do ta ngrerë përsëri. Por Shqipëria  e mban shënim  sakrificën  sublime të Fetiut dhe Aleksandrit  si  pjesë të kontributit të saj për  një  botë të lirë e në paqe.  Nga ana tjetër, sot mbarë vendi e ka më të qartë se sa e kishte deri dje se në këto misione detyra, sakrifica dhe  sadisfaksioni  fqinjërojnë orë e çast me rrezikun.  Prandaj janë  epike. Kapiteni i ndjerë Feti Vogli u shpall  dëshmor nga  Ministria e  Mbrojtjes.  Do të ketë  homazhe dhe ceremoni zyrtare për përcjelljen e  trupit të tij në banesën e fundit.  Tetari Aleksandër Peçi është nderuar me   Medaljen e Artë të Shqiponjës nga Presidenti i Republikës, zoti Topi. Të  gjitha këto  janë akte për tu bërë.  Por detyrimet e  qeverisë dhe autoriteteve shqiptare   përkundrejt  këtyre vrasjeve tragjike  nuk mbarojnë këtu.  Do të  ishte cinike dhe makabre që dikush të mburret se me vrasjen e Voglit jemi bërë qeveri dëshmori në gjirin e Aleancës së Atllantikut dhe  me kaq  i  kemi larë duart me detyrimet e tjera.  Jo, detyrimet e tjera tani fillojnë dhe janë  po aq të rëndësishme sa nderimet me tituj e medalje të atyre që derdhen gjakun.

Mediat amerikanë dhe europiane kanë  raportuar  dje dhe pardje për tragjedinë nga vendi i ngjarjes. Nuk ka qenë një dyzinë talebanësh  të veshur si policë ata që kanë qëlluar,  siç u tha fillimisht në Tiranë, por një polic afgan  i forcave  të sigurisë, i cili  është arrestuar dhe po merrret në pyetje.  Ngjarja ka ndodhur pas një një konflikti, për  të cilin nuk janë dhënë ende detaje. Dhe nuk është hera e parë që  trupat e misionit të NATO-s sulmohen nga  pjestarë  të forcave  afgane të sigurisë.

Një ligjvënës amerikanë kishte numëruar 42 sulme të tilla nga viti 2007 deri në fund të vitit 2011.  Sipas tij, në shumicën e rasteve sulmuesit kanë vepruar në kokë të tyre, për  motive që kanë në bazë  fërkime dhe grindje personale.  Ka patur ndonjë rast  të rrallë kur sulmuesit  kanë qenë talebanë apo terrroristë  të infiltruar. Qeveritë e vendeve të NAT0-s  janë dukje i analizuar  me  kujdes shkaqet e  këtyre sulmeve,   duke konsideruar  përveç  faktorëve   rastësorë  dhe vetjakë, edhe faktorë të tjerë politikë e psikologjikë që lidhen me dualitetin  e forcave të  jashtme dhe të brendshme të sigurisë në territorin  afgan, me prapavijën politike  që mund të ken렠 sulmet  në fjalë, e tjerë.  Realisht forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe forcat  afgane të sigurisë janë forca aleate, kanë një kundërshtar të përbashkët:  armiqtë e sigurisë dhe stabilitetit të Afganistanit, talebanët, terroristët e çdo ngjyre.  Kjo është e thjeshtë për tu thënë, por në terren veprojnë lloj-lloj ndjeshmërish, ndërkohë që problematika e  vendit  është në evoluim. Në këtë kontekst  Presidenti Obama ka njoftuar largimin e trupave  nga Afganistani  në  vitin 2014. Kurse Franca ka marrë një  vendim  radikal  duke tërhequr në mënyrë të njëanshme kontingjentin e saj pas  vrasjes vitin e kaluar të gjashtë  ushtarëve  francezë nga  ushtarakë  afganë.  Ushtria franceze nuk është në Afganistan që të qëllohet nga ushtarë francezë, ka thënë me ketë rast Presidenti Nikola Sarkozi.

Qeveria e  Shqipërisë,  që nuk i ka mish për  top bijtë e saj, sado  krenari të na japë pjesmarrja  e tyre në misionet paqeruajtëse, duhet të marrë  informacion dhe të  bëjë edhe ajo analizat  përkatese, siç bëjnë qeveritë aleate. Shqipëria  duhet të këtë përgjigjen e saj pse vrasin ushtarët afganë. Shqipëria duhet të nxisë një  hetim të drejtë e të shpejtë të ngjarjes, njëherësh  edhe dënimin e vrasësit në bazë të ligjit. Afganistani, vend në tranzicion  për shkak të  regjimit të mëparshëm të talebanëve,  është një vend i vjetër, i pavarur, me qeverinë e vet të ligjshme.  Qeveria jonë duhet të kërkojë nga qeveria e Afganistanit marrjen e  përgjegjësive me qëllim  që  të bëhët drejtësia dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Nga ana tjetër  Shqipëria  duhet  të rrisë nivelin e trajnimit  të trupave komando. Ka disa pikpyetje për sulmet e trupave  afgane të sigurisë mbi  aleatët e tyre të NATO-s. Përfshirë sulmin e  fundit, ku u dergj gjak shqiptarësh. Hetimi i ngjarjes mund të sqarojë  disa nga këto pikpyetje. Ndoshta edhe problemin e  shumëpërfolur të trajnimeve, që sipas shumë dëshmive lënë për të dëshëruar, janë sipërfaqësore, tepër teknike dhe më pak politike e kulturore.

A trajnohen  mirë ushtarakët tanë  si të sillen me  homologët e tyrevendas, për  të respektuar krenarinë e tyre njerëzore dhe kombëtare në atdheun e tyre? A trajnohem mirë ushtarakët tanë si të sillen me  popullisinë  civile vendase? A trajnohen mirë për  të njohur, nderuar e respektuar zakonet  dhe doket e tyre,  fenë e tyre, e tjerë?  Të gjitha këto mund të jenë bërë mirë deri me sot, por duhen të bëhën akoma më mirë deri ditën kur do të qëndrojmë në Afganistan.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›