E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i atdheut

Ilir Yzeiri

Ngjarja e fundit gjatë përurimit të selisë së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë në të cilën ngjarje protokolli rezultoi një lëmsh i ngatërruar keq, dëshmoi se ata që kanë zaptuar qeverisjen e këtij vendi dhe të Kosovës gjithashtu, kanë probleme të karakterit patologjik në lidhje me pushtetin dhe shfaqin një anë të deformuar të fenomenologjisë së atdheut.

Sipas asaj që pamë dhe sipas atyre që shkruan e thanë mediat, veçanërisht artikujt që bëri Shekulli, dy institucione të rëndësishme të atdheut, përkatësisht institucioni i Presidentit të Republikës dhe institucioni i Opozitës ishin injoruar dhe në ceremoninë e përurimit të selisë së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë ne të gjithë nuk pamë Presidentin e Republikës dhe mezi dalluam liderin e opozitës Edi Rama që dukej sikur ishte futur pa u marë leje rojave të rezidencës nga që mënjanimi dhe injorimi i tij në atë pritje dukej açik.

Ndërkaq, në qendër të këtij teatri provincial ndrinin puthadorët dhe shushunjat e zakonshëm, por ajo që bie në sy është një gjë tjetër. Në këtë rast kemi të bëjmë me privatizimin e atdheut. Atdheu është fjala më e përdorur jo vetëm te ne, por në këtë kohë krize, kjo fjalë po përdoret dendur edhe në Greqi apo edhe në Itali. Të gjithë flasin se duhet të shpëtojmë ose duhet të mbrothësojmë atdheun. Atdheu si nocion apo kategori filozofike është përmendur që në antikitet me të famshmen politea të Aristotelit, pastaj te Republika e Platonit për të ardhur te fenomenologjia e Huserlit. Filozofët modernë kanë studiuar dhe kanë rimarrë tezën e Kantit për hapësirën dhe madje janë shtyrë më tej për të parë te atdheu jo thjesht një nocion gjeografik e material, por një hapësirë ku mund të jetojnë njerëz që kanë disa gjëra të përbashkëta. Nuk pa zgjatem në këtë pikë se është një histori tjetër dhe pafund gjithashtu, por po ndalem vetëm në kuptimin e atdheut si imazh i Ne-së, në kuptimin që atdheu jemi ne që jetojmë në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, që flasim të njëjtën gjuhë.

Në kuptimin që kemi për atdheun, në themel të tij pra është pronori Ne. Ne thonë filozofët nuk është shumësi i unë, pra nuk është unë+unë+ unë…. Ne është unë dhe ju ose unë dhe ata. Në këtë kuptim të Ne-së filozofët kanë zbuluar format e përbashkimit dhe të përjashtimit. Pra, që të kemi Ne duhet patjetër që përveç unë të jetë edhe ti, pra që përveç meje të jetë edhe një tjetër. Vetëm kështu mund të ketë kuptim hapësira. Mirëpo në këtë ekuacion unë-ti dhe tjetri gjenden të gjitha keqkuptimet deri edhe luftërat. Në qoftë se unë nuk e pranon ti-në, pra tjetrin, atëhere nuk mund të ketë ne, sepse ne-ja nuk përbëhet nga shumë unë. Të gjitha fenomenet që vëmë re në Shqipërinë tonë të gjorë e të ngushtë ndodhen pikërisht në këtë ekuacion fenomenologjik. Këtu kuptimi i Ne-së është deformuar dhe me Ne, sidomos ata që vihen në krye të vendit, nuk përfillin apo nuk mbajnë në vështrim edhe tjetrin, por e zëvendësojnë atë me un-in e tyre. Ajo që ndodhi në pritjen e organizuar me rastin e çeljes së selisë së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, nuk ishte thjesht një ngatërrim protokolli. Në qoftë se protokolli në këtë vend harron Presidentin e Republikës apo liderin e opozitës, atëhere këtu gjërat kanë marrë fund.

Jo, në këtë rast Sali Berisha dhe Hashim Thaçi shfaqën një anë të karakterit të tyre politik që është etja për të privatizuar atdheun, nëse me atdhe do të kuptojmë hapësirën ku jetojmë ne shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës. Në nënvetëdijen e Berishës dhe të Thaçit kjo pjesë virtuale që quhet atdhe, pra perceptimi për të ose edeitika për atdheun është privatizuar. Më tej akoma. Në thelb të fenomenologjisë është ideja se njohja jonë për botën janë idetë, konceptet, esenca apo eidea e Arsitotelit. Në këtë kuptim atdheu është gjithë sa ne dimë dhe ndiejmë për të. Në kuptimin për atdheun filozofët kanë parë edhe një marrëdhënie tjetër që është jo ajo horizontale pra unë+ti, por edhe një marrëdhënie vertikale që është raporti me të shkuarën dhe të ardhmen, pra në këtë kuptim atdheu është një zëvendëim brezash pra është një hapësirë më tri dimensione. Asnjë brezi nuk i lejohet që të ndalojë apo të prishë këtë përmasë. Koncepti modern për atdheun është ndërrimi i brezave dhe i kohës. Ndërsa koncepti autoritar dhe sidomos diktatorial për atdheun mbështetet te prishja e këtij raporti dhe te ndalimi i kohës. Diktaturat e ndalojnë kohën dhe e mbajnë te e shkuara dhe nuk e pranojnë tjetrin. Për to atdheu është lideri që zotëron dhe historia nuk është një proces ndërrimi, por një gjendje statike.

Potë vëresh ligjërimin e Berishës dhe të Thaçit ato kanë të njëjtën shenjë; ato e kanë ndaluar kohën. Berisha e ka ndaluar kohën në vitin 1990 kur ai nga ish-sekretar partie u imponua si lider i partisë së parë opozitare. Thaçi në Kosovë e ka ndaluar kohën që nga çasti që ai nga një drejtues i UÇK-së u konvertua në kryeministër. Sipas tyre e shkuara dhe e tashmja kanë vetëm unin e tyre, ndërsa e ardhmja mbahet peng nga egoizmi i tyre për pushtet.  Në historinë e Shqipërisë komunistët ishin kampionët e privatizimit të atdheut dhe ndalimit të kohës në të shkuarën.

Berisha e Thaçi si dy komunistë të vonuar, mendojnë se kanë të drejtë të privatizojnë edhe ata Shqipërinë dhe Kosovën ose atdheun e shqiptarëve në dy shtete. Këtë të drejtë e shfaqin edhe në mënyrë provinciale e të pakontrolluar. Përjashtimi që u vu re në mbrëmjen e 17 shkurtit në Tiranë nuk ishte një ngatërresë ballkanike me protokoll, ishte një përzgjedhje e kujdesshme për të treguar se cilët janë tashmë pronarët e atdheut, ishte një kujdes prej njeriu naiv, që kujton se Ne do të thotë unë dhe unë dhe se atdheu nuk është një hapësirë në të cilën brezat ndërrohen, por është një hangar toke që mbarështohet nga dy udhëheqës provincialë e të vonuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›