E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devolli: Luftëtari shap rrugë, 3 pikët në çdo ndeshje

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Kapiteni i ekipit gjirokastrit, Bledar Devolli, ruan respekt për kundërshtarin dhe tifozët lushnjarë, por tregohet profesionist dhe kërkon fitoren

Luftëtari shkon në Lushnjë me 10 pikë avantazh nga ekipi vendës. Në stadiumin Roza Haxhiu do të përleshen dy sulmet më rezultative, përkatësisht me 35 dhe 34 gola. Përplasen gjithashtu edhe dy ndër mbrojtjet më hermetike, me 11 dhe 13 gola të pësuar. Po ashtu, do të nxjerrin shpatat edhe golashënuesit më të mirë, Canka (Lushnja) me 15 gola, dhe Nora e Raboshta (Luftëtari ) me 11 dhe 10 gola.

Në mësymjen e Luftëtarit do të jenë edhe dy më të shquarit e futbollit aktual gjirokastrit, Devolli dhe Nora, të cilët kanë veshur edhe fanellën e Lushnjës, madje i dyti 4 sezone, 2001-2005. Pra, do të jetë një përplasje kreshnikësh, ku Lushnja, përveç golashënuesit më të mirë të kampionatit deri tani, ka edhe faktorin fushë, ndërsa Luftëtari ka avantazhet që përmendëm dhe mbi të gjitha kompaktësinë dhe agresivitetin e grupit.

Po ashtu, ekipi gjirokastrit është stimuluar materialisht dhe i motivuar shpirtërisht, pasi të mërkurën kryebashkiaku dhe presidenti Flamur Bime bëri sërish një takim dhe akordoi mesatarisht nga 10.000 lekë për fitoren në Elbasan. Ai i nxiti lojtarët për një triumf të ri në Lushnjë, ku përsëri do të ketë shpërblime.

Devolli Kapiteni i Luftëtarit, Bledar Devolli, është aktivizuar me Lushnjën sezonin 2004-2005. Për shkak kartonësh ai nuk luajti dy ndeshjet e fundit të Luftëtarit, me Kukësin dhe Elbasanin, që i kishte shumë qejf. Për sfidën e radhës ai shprehet: Më ka ardhur mjaft keq që nuk pata mundësi të luaja me Kukësin dhe Elbasanin, por ja që futbolli ka edhe kartonët si pjesë të lojës.

Përgëzoj shokët e ekipit që i fituan këto dy ndeshje, duke treguar forcën e pluralizmit që ka ekipi ynë. Lushnja, me të cilën ndeshemi këtë javë, është rivale ndër më të fortat, është ekip me tradita. Kam respekt të veçantë për ata tifozë të mrekullueshëm, që e duan futbollin dhe më kanë trajtuar mirë, pasi aty kam luajtur një sezon, por ja që futbolli profesionist ka ligjet e veta kundër nostalgjisë dhe nuk e fsheh që ne aty do të luftojmë për 3 pikë. Le të fitojë ekipi që do bëjë sa më pak gabime në cilësinë e lojës së tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›