E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, së shpejti mëson çmimin e shitjes

Nga ILIR CARA

Ministria e Mbrojtjes po bën rivlerësimin e aseteve që u kanë mbetur të kuqve,  më pas klubi i futbollit do ti nënshtrohet ankandit

Ka kohë që është folur për krijimin e një shoqërie të re aksionare për Partizanin, e cila nuk do të ketë lidhje me shoqërinë që ka administruar demat e kuq deri para fillimit të sezonit 2011-2012. Ishte menduar se kjo procedurë do të merrte fund në fillim të muajit shkurt, por realisht burokracia zyrtare është fituese dhe penguese për të mësuar të ardhmen e Partizanit.

Prej ditësh, Ministria e Mbrojtjes e ka dorëzuar dosjen Partizani në Ministrinë e Ekonomisë, e cila do të merret me regjistrimin në QKR të shoqërisë së re aksionare. Administratori i të kuqve, Gjergji Thaka, dje është thirrur në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi i është kërkuar gjithë dokumentacioni që ai disponon, ndërsa po bëhet një rivlerësim i aseteve që i kanë mbetur Partizanit.

Kjo procedurë rivlerësimi asetesh tregon qartë se si burokracia po e zvarrit të ardhmen e Partizanit, pasi çdo shqiptar është i informuar se Partizani nuk ka as shtëpi e as katandi, ia kanë marrë të gjitha. Partizani i sotëm ka vetëm emrin dhe atë grup lojtarësh që përgatiten nga stafi teknik. Gjithsesi, Partizani ndihet krenar për një gjë, që e ka si pasurinë më të madhe, tifozerinë, që ndodhet anembanë Shqipërisë, por nuk është mall për tu shitur.

Mësohet se ky rivlerësim asetesh është hapi i fundit për të vënë një çmim për Partizanin. Pra, pritet që shumë shpejt Partizani ti nënshtrohet procedurës së daljes në ankand, gjë e cila do të pasohet menjëherë sapo Mininistria e Ekonomisë të regjistrojë në QKR sh.a.-në e re. Thuhet se, por është thënë edhe më parë, se shumë shpejt Partizani do të dalë në shitje dhe do të mësohen pronarët e rinj, ku dihet se një konsorcium amerikan mbetet në pritje.

Shpërblimi Përpos pjesës zyrtare, e rëndësishme është edhe ajo çfarë ekipi bën në terren. Të dielën Partizani luan sfidën e sezonit, pasi do të jetë mysafir në Kuçovë. U tha se në rast se fitorja e Bilishtit do të shoqërohej edhe me një tjetër me Albpetrolin, atëherë të kuqtë do të përfitonin një premio prej 2 milionë lekë (të vjetra).

Ka gjasa që kjo premio e premtuar tu shpërndahet sot futbollistëve. Kjo do të ishte një inkurajim për sfidën me Naftëtarin, që është ndjekësi më i afërt i të kuqve. Pritet që për transfertën e Kuçovës të vendoset një premio tjetër, por vlera e saj ende nuk është përcaktuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›