Shupe: Gramozi i ka shanset për të qëndruar në të parën
Kapiteni i kolonjarëve, Hyserjon Shupe, beson se ekipi do ta kapërcejë krizën në ndeshjen e vështirë me Kukësin
Humbjet e njëpasnjëshme të fazës së dytë e kanë rënduar shumë pozicionin e Gramozit në renditje. Është një situatë kritike dhe, kur kanë mbetur edhe 10 javë nga ky kampionat, kambanat e alarmit për zbritjen në kategorinë e dytë janë më të forta se kurrë.
Ekipi është shfaqur më i dobët se fazën e parë, edhe pse u bënë lëvizje në merkaton e dimrit. Futbollistët nuk po e justifikojnë mbështetjen e tifozërisë, që nuk i ka braktisur për asnjë moment. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Gramozi të mos merrte asnjë pikë në 5 ndeshje.
Objektivi i mbijetesës bëhet më i vështirë edhe nga kalendari, që këtë javë e vë këtë ekip përballë Kukësit, që qëndron me meritë në vend të dytë. Ndodhemi në një pozicion tepër të vështirë, – shprehet kapiteni Hyserjon Shupe.
- Është e pajustifikueshme mungesa e rezultateve, pasi përbërja është e mirë. Nuk po arrijmë të shprehemi si duhet në fushë, ndaj dhe me të drejtë tifozët janë mërzitur me paraqitjen tonë të deritanishme, pasi ata janë mësuar vitet e fundit ta shohin Gramozin në nivele të larta.
Të vjen keq të mendosh që një ekip si ne të diskutojnë qëndrimin në kategorinë e parë. Unë si kapiten, por edhe gjithë futbollistët e tjerë, e ndiejmë jo pak peshën e rezultateve negative. Shpresoj që pjesa e mbetur e kampionatit të jetë ndryshe dhe besoj se i kemi shanset për të qëndruar.
Duke pasur një takim tepër të fortë dhe përcaktues këtë javë me Kukësin, kam parë një mobilizim të jashtëzakonshëm nga të gjithë, ndaj kam besim se do të marrim 3 pikët. Pavarësisht rezultateve të dobëta, u bëj edhe një herë ftesë të gjithë sportdashësve kolonjarë që të na përkrahin, sepse do të japim më të mirën në fushë, duke i kënaqur me lojë e me rezultat, ka përfunduar kapiteni Shupe, i cili tashmë e ka kaluar dëmtimin dhe do ta fillojë ndeshjen që nga minuta e parë.
