Dha dorëheqje presidenti Kristian Vulf

“Unë kam bërë gabime”, ka thënë ai në një transmetim direkt nga zyra e tij në Berlin, “por, gjithmonë kam bërë veprime korrekte”.
Ai tha se akuzat për korrupsion që janë shtuar në javët e fundit, kanë rezultuar me mungesën e besimit dhe ia kanë bërë pozitën të paqëndrushme.
Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel, anuloi vizitën e planifikuar në Romë, për shkak të paralajmërimeve për dorëheqjen e presidentit.
Një ditë më parë, prokurorët publikë kishin kërkuar që presidentit Vulf t’i hiqej imuniteti, për shkak se ka pranuar të mira nga miqtë e tij të pasur në kohën sa ishte kryeministër i Saksonisë së Ulët.(a.i.)
Presidenti i Gjermanisë para dorëheqjes
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka anuluar vizitën e planifikuar në Romë, meqë ka indikacione se presidenti Kristian Vulf mund të japë dorëheqje, njofton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Sipas agjencisë, burimet e afërta me presidentin thanë të premten se ai do të paraqesë dorëheqjen në një konferencë për gazetarë para mesditës.
Kjo për shkak të rritjes së pretendimeve se ai është përfshirë në afera korruptive.
Prokurorët publikë kanë kërkuar që atij t’i hiqet imuniteti, për shkak se ka pranuar të mira nga miqtë e tij të pasur në kohën sa ishte kryeministër i Saksonisë së Ulët.
Merkel njoftohet se do të japë një deklaratë të veçantë pas bërjes publike të dorëheqjes.